Nga mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave U miratua projektligji "Kodi hekurudhor i Republikës së Shqipërisë". Projekti i Kodit Hekurudhor është frut i një pune shumëvjeçare
Nga mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave
U miratua projektligji "Kodi hekurudhor i Republikës së Shqipërisë".
Projekti i Kodit Hekurudhor është frut i një pune shumëvjeçare që synon të arrijë këto objektiva:
• Të vendosë në baza të reja të ekonomisë së tregut marrëdhëniet e lindura në Proçesin e transportit hekurudhor të udhëtarëve, bagazheve dhe mallarave midis transportuesve hekurudhorë nga njëra anë dhe subjekteve të ndryshme juridike publike e private nga ana tjetër, të cilët për nevoja të tyre përdorin këtë lloj transporti;
• Të përcaktojë drejt problemet e pronësisë dhe të së drejtës së veprimtarisë hekurudhore. Në këtë drejtim Kodi sanksionon ekskluzivitetin e pronës publike, vijat hekurudhore kryesore dhe në degëzimet hekurudhore dhe pronësi pa kufizime për vijat e brendshme hekurudhore në territoret e subjektet publike dhe private si dhe në mjetet e transportit hekurudhor;
• Të sanksionojë ekskluzivitetin e shtetit, që nëpërmjet Hekurudhës Shqiptare, të drejtojë dhe të organizojë lëvizjen tërësore të trenave të të gjithë transportuesve hekurudhorë;
• Të përcaktojë statusin e Hekurudhës Shqiptare si një ndërmarje publike që i takon tërësisht shtetit dhe i jep asaj një autonomi ekonomike, që të operojë sipas dispozitave të një shoqërie anonime;
• Shteti i ngarkon Hekurudhës Shqiptare administrimin e infrastrukturës hekurudhore. Gjithashtu, shteti, edhe nëpërmjet kontributeve shtetërore, e ngarkon atë me detyrën e realizimit të investimeve lidhur me rinovimin modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, mirëmbajtjen dhe zgjerimin e saj si dhe për administrimin e sistemeve të sigurisë.
Në projektligj, në mënyrë të detajuar rregullohet veprimtaria hekurudhore, veçoritë e transportit të mallrave dhe udhëtarëve, harmonizimi i lëvizjes së trenave, sistemi i sinjalizimeve dhe ndërlidhjes, etj.
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për produktet e ndërtimit".
Projektligji përcakton kushtet për përdorimin e produkteve të ndërtimit, pranimin e miratimeve teknike për këto produkte, vlerësimin dhe vërtetimin e konformitetit në lidhje me kërkesat themelore, kryerjen e mbikqyrjes së tregut dhe zbatimin e proçedurave rë veçanta për njohjen e konformitetit të tyre.
Një vend i veçantë në projektligj i kushtohet kërkesave themelore që duhet të plotësohen nga produktet, të cilat janë:
• Rezistenca dhe qëndrueshmëria;
• Siguria në rast zjarri
• Higjena-shëndeti-mjedisi
• Siguria në përdorim
• Mbrojtja kundër zhurmave dhe kursimi i energjisë e ruajtja e ngrohtësisë
Hedhja në treg e produkteve përmban specifikimet teknike që duhet të plotësojë një produkt ndërtimi përpara se ai të dalë në treg dhe në rast të mungesës së tyre, si duhet të veprohet përpara shpërndarjes dhe përdorimit të produkteve. Një vend i veçantë i kushtohet miratimeve teknike, mënyrës së dhënies së tyre për produktet e ndërtimit të cilat nuk kanë standart ose rregulla teknike dhe që prodhohen ose janë importuar për herë të parë.
Projektligji është hartuar duke marrë për bazë eksperienca dhe legjislacioni i vendeve të zhvilluara të europiane.