E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Fatos Nano, Koordinatorit Special Erhard Busek dhe Zv/ministres së Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Topich, Kryesuese e radhës e Procesit t

Nga konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Fatos Nano, Koordinatorit Special Erhard Busek dhe Zv/ministres së Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Topich, Kryesuese e radhës e Procesit të Bashkëpunimit të EJL

Në përfundim të punimeve të Tryzës së 6-të të Proçesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, e cila zhvilloi punimet gjatë dy ditëve të fundit në Tiranë, Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek dhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës, Lidia Topic, Kryesuese e rradhës e Proçesit të Bashkëpunimit të EJL, dhanë sot një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fillim të tre personalitetet dhanë nga një deklaratë për shtyp, e më pas iu përgjigjën interesimit të gazetarëve.

Deklarata e Kryeministrit Fatos Nano

Pata nderin e veçantë të jem mikpritës i Tryezës së 6-të të Iniciativës së Paktit të Stabilitetit në Tiranë. Një takim që është treguar tashmë i frytshëm për shkak të drejtimit jashtëzakonisht efikas nga Koordinatori Special, Erhard Busek, si dhe të gjithë faktorëve të tjerë, ku do të veçoja drejtimin aktual të Nismës së Bashkëpunimit të Europës Juglindore nga Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës.

Shqipëria ka luajtuer rolin e saj në suksesin e inciativave të Paktit. Pakti i Stabilitetit ka ndikuar jashtëzakonisht pozitivisht në zbutjen e klimës politike në rajon dhe parandalimin e krizave. Ai ka strukturuar gjithë segmentet e dialogut rajonal dhe të bashkëpunimit në rajon midis vendeve përfituese dhe atyre donatore që asistojnë reformat e integrimit euroatlantik të Ballkanit. Kjo iniciativë ka dhënë kontribute të spikatura në hartimin e strategjive të zhvillimit rajonal në fusha prioritare, si transporti, energjia, zhvillimi i teknologjive të informacionit, krahas harmonizimit të instrumenteve dhe programeve të përbashkëta të luftës ndaj dobësive të kufijve dhe të sistemeve në rajon të lidhura me trafiqet me krimin e organizuar, me kontrollin e armëve, me korrupsionin si dhe në forcimin e instrumenteve të reja për të krijuar aleatë në luftën kundër tyre, ku do të veçoja zhvillimin e medias së lirë.

Janë krijuar të gjitha elementët e një kuadri modern për një zonë të tregtisë së lirë midis vendeve të rajonit dhe Shqipëria, ju e dini që, në janar 2004 nis zbatimin e disa marrëveshjeve të tregtisë së lirë me vende fqinje. Ne vlerësojmë gjithashtu, kontributin e Paktit të Stabilitetit në krijimin e kontakteve dhe të rrjeteve të qëndrueshme të bashkëveprimit të Organizatave Jo-Qeveritare në rajon.

Tashmë, Pakti po orientohet drejt një kuadri të dialogut politik duke lëvizur nga projektet e specifikuar, me prioritete që nga bashkëpunimi transkufitar dhe forcimi i demokracive lokale, deri tek menaxhimi dhe stabilizimi i lëvizjes së popullsisë, duke shtuar garancitë e lëvizjes së lirë midis vendeve të rajonit. Ne rilevojmë gjithashtu rëndësinë e Qëndrës Rajonale të Luftës Kundër Krimit të Organizuar që funksionon në Bukuresht.

Pakti i Stabilitretit do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm në iniciativat e vendeve të rajonit për të krijuar një treg unik ballkanik me 60 milionë banorë dhe këtu do të veçoja segmentet e veçanta të këtyre programeve, siç është tregu i energjisë. Në mënyrë të veçantë, ne po forcojmë besimin reciprok dhe mbi këtë po zhvillohen nismat e sigurisë kolektive dhe të bashkëpunimit me NATO-n, me Komisionin Europian, me OSBE-në, për menaxhimin e integruar të kufijve. Unë besoj se ky është një kuadër afatgjatë i dobishëm për të shoqëruar lëvizjen integruese të vendeve të Europës Juglindore në Bashkimin Europian si stacioni ynë i përbashkët.

Faleminderit

Deklarata e Koordinatorit Special të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore Erhard Busek

Dua të përsëris diçka që thashë në hapjen e tryezës rajonale. Kishte disa pjesëmarrës në takim, të cilët më thanë mua disa vlerësime që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Më thanë se është bërë mjaft përparim dhe unë kam dëshirë që këtë mesazh të tyre t'ua transmetoj edhe juve sepse mendoj se kjo mjaft rëndësi për Shqipërinë.

Dua të theksoj gjithashtu, edhe objektivat që ka Pakti i Stabilitetit të cilat i vuri në dukje edhe Kryeministri juaj. Ju mund të merrni informacion më të zgjeruar në deklaratën e shtypit që është shpërndarë, por unë dua të përqëndrohem në tre çështje.

E para është nevoja për nxitjen e biznesit me anën e realizimit të gjithë këtyre marrëveshjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e industrisë, të bashkëpunimit në fushën e energjisë, ne duam të krijojmë një ambjent të nevojshëm për zhvillimin e biznesit. Gjithashtu, të përpiqemi që rajonin ta bëjmë më tërheqës për investime, të cilat nuk janë të këqija por ato po nisin nga një nivel mjaft i ulët. Në këtë mënyrë, duke bërë nxitjen e biznesit nëpërmjet reformave, përpiqemi të bëjmë më shumë për rajonin.

Pika e dytë është që duhet të përqëndrohemi në krimin e organizuar. Mendoj se krimi i organizuar nuk është një çëshjtje vetëm për rajonin. Ai ka një ndikim global. Droga vjen nga Afganistani, trafiku i femrave bëhet nga vende të ndryshme nga Lindja e Mesme etj. Pra Europa Juglindore është një vend tranzitri nuk është vend pikënisje. Pra duhet të bëjmë këtë gjë për të nxitur bashkëpunimin dhe të kalojmë përtej kuadrit të rajonit. Na duhet për këtë edhe bashkëpunimi rajonal. Duhet të përmirësojmë patjetër situatën, ndryshe nuk do të kemi investime. Prandaj edhe po përpiqemi të luftojmë korrupsionin në Sarajevo dhe në vende të tjera nëpërmjet edhe Qendrës kundër Korrupsionit.

Pika e tretë është që duam të përqëndorhemi më shumë në bashkëpunimin parlamentar rajonal. Duhet të përmirësojmë cilësinë e punës së parlamenteve, por duhet të kemi edhe një bashkëpunim ndërkufitar.

Po ju jap disa shembuj. Bëhet fjalë për shkëmbimin e të dhënave dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve. Të gjitha lidhjet që kanë të bëjnë me taksat me gjithë detyrimet doganore duhet të jenë të krahasueshme. Prandaj për këtë na duhet edhe bashkëpunimi rajonal i cili do të nisë në vitin 2004, për këtë drejtim.

Në përgjithësi Tryeza e Tiranës ishte një ngjarje e shkëlqyer. Diskutuam për tema të ndryshme, por jo në kuptimin që mendimet për këto çështje që diskutuam ishin mendime të dëshpëruara. Gjithçka u bë në kuadrin e asaj që duhet të kemi një efektivitet më të madh dhe një bashkëpunim më të ngushtë. Pra do t'i kemi parasysh vendimet që u ndërmorën në Tiranë për një përparim të mëtejshëm të punës së Paktit të Stabilitetit.

Deklarata e Zëvendësministres së Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kryesuese e radhës e Proçesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, Lidia Topic

Së pari, dua të shpreh falenderime për Qeverinë e Shqipërisë që jo vetëm organizoi këtë mbledhje por që na ofroi edhe një mikëpritje shumë të madhe, dje dhe sot, në Tiranë.

Bosnjë-Hercegovina ka kryesinë e radhës së Proçesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, që plotëson, vazhdon në strukturën e Paktit të Stabilitetit, por ka një dallim prej tij. Nryshimi është që nëse Pakti i Stabilitetit i ka zyrat qëndrore në Bruksel, zyrat e Bashkëpunimit të Europës Juglindore nuk janë në një vend të caktuar, ato janë kudo.

Vërtet në kemi kryesinë por ne kryesojmë në bazë të nevojave, përparësive që ka rajoni. I kemi zgjedhur këto përparësi pra në vazhdim të atyre të Paktit të Stabilitetit, sepse ato janë çështje vërtet shumë të nxehta dhe shumë të rëndësishme për rajonin. Rritja e sigurisë dhe tërheqja e investimeve është përparësia numër një për të gjitha vendet e rajonit. Por bashkëpunimi rajonal është gjithashtu i rëndësishëm për t'i sjellë këto vende sa më pranë Bashkimit Europian.

Ne në Bosnjë-Hercegovinë kemi organizuar disa ngjarje të suksesshme gjatë këtij viti, mbledhje të ministrave të Punëve të Jashtëm, të Punëve të Brendshme, të Drejtësisë. Pra kemi parë edhe hollësitë e mëtejshme që mund të ekzistojnë për rajonin, pas Konferencës së Londrës kundër Krimit të Organizuar, për të parë se çfarë mund të bëhet për të realizuar detyrat që kemi në këtë fushë.

Kemi ndërmend të vazhdojmë punën tonë për realizimin e përparësive të përzgjedhura në kuadrin e përparësive të përgjithshme që ka edhe Pakti i Stabilitetit.

Faleminderit.

Pyetje nga Radio Televizioni i Kosovës drejtuar z.Busek dhe z.Nano:

Cilat do të jenë hapat që do të ndërmerren në kuadër të Paktit të Stabilitetit për të nxitur lëvizjen në rajon?

Koordinatori Busek:

Më duket se me këtë pyetje keni mbledhur disa pyetje. Tani jemi duke u përqëndruar në vendimet e ditës. Preokupimi ynë është që njerëzit të kenë mundësi përmes vizave të lëvizin lirshëm në të gjithë rajonin. Pra jemi duke shqyrtuar mundësinë dhe po merren disa masa për të siguruar lëvizjen e lirë të njerëzve, veçanërisht për periudhën e verës. Gjithashtu, në në lidhje me Kosovën, ka një departament të veçantë që punon për pranimin e pashaportave që ka lëshuar UNMIK-u. Kjo është pjesë edhe e proçesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, që ne po e ndihmojmë edhe pse nuk jemi ne udhëheqësit e këtij proçesi.

Pjesa e dytë e pyetjes suaj ka të bëjë me emigracionin.

Kemi nisur një iniciativë për kthimin e refugjatëve dhe azilkërkuese. Kemi ndërmarrë një planveprimi ndërkombëtar dhe do të ketë një përfaqësues të veçantë në Maqedoni, duke filluar nga viti 2004. Për këtë kemi patur diskutime të nxehta, sepse situata ndryshon nga një vend në tjetrin. Por mund tu siguroj se kjo është në krye të axhendës sonë të punës.

Kryeministri Nano:

Duke vlerësuar këto instrumenta që ka mundësuar iniciativa e Paktit të Stabilitetit edhe në fushën e lëvizjes së lirë, dua të rilevoj faktin e pamohueshëm që rajoni po kalon nga lëvizjet negative në ato pozitive, nga lëvizjet e refugjatëve apo më pas të trafikantëve, në lëvizjet e lira të qytetarëve të mbrojtur, për shkak të menaxhimit më të mirë të kufijve, të rritjes së sigurisë së lëvizjes ndërkufitare, të forcimit të klimës së besimit për bashkëjetesë dhe bashkëpunimi midis vendeve të rajonit dhe veçanërisht të shtimit të cilësisë së njerëzve dhe të aktorëve që lëvizin duke pasuruar përmbajtjen e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore dhe kjo i bën edhe qeveritë të lëvizin më lirisht në një rajon europian që po ndërtohet.

Besoj se të gjithë e dinë se Kosova është e mirëvendosur në rajon.

Pyetje e Televizionit Publik drejtuar z.Busek:

Si e vlerësoni situatën e krimit të organizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor?

Koordinatori Busek:

Në fakt situata e krimit të organizuar të jep një përshtypje të keqe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, ndonjëherë më duket se këto ekzagjerohen më shumë se çduhet. Siç e thashë edhe më parë, lidhjet e krimit të organizuar kanë një natyrë globale. Nuk mjafton që tu thuash vendeve të Europës Juglindore që duhet të bëni këtë apo atë, por duhet tu themi të gjitha vendeve të Europës dhe vendeve trasatlantike të bëjnë diçka.

Përmenda edhe më parë që vendet e Europës e Juglindore janë më tepër vende të karakterit tranzit në lidhje me krimin. Ne tani po përpiqemi që të krijojmë një bashkëpunim më të madh, me të gjitha strukturat që meren me luftën kundër krimit.

Ne e kemi marrë vendimin dhe përpjekjet tona do të jenë më të efektshme në të ardhmen.

Pyetje nga Televizioni Arbëria drejtuar z.Nano:

Cilat janë hapat e ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare në luftën kundër fenonmeneve negative?

Kryeministri Nano:

Besoj se është i qartë programi i veprimeve të Shtetit dhe Qeverisë së Shqipërisë, që në planin kombëtar ka ndërtuar dhe po bën gjithnjë e më veprues një sistem të drejtësisë së organizuar kundër krimit të organizuar dhe në nivel rajonal po zbaton strategjinë e menaxhimit të integruar të kufijve që është një instrument standart për të gjithë vendet e rajonit, për të arritur parametrat e sigurisë të lëvizjeve të lira me vendet e Bashkimit Europian.

Në këtë kuadër ne po forcojmë dhe po bëjmë gjithnjë e më efikas bashkëpunimin, shkëmbimin e informacionit, si dhe veprimet e përbashkëta të policive të vendeve të rajonit, si dhe me agjencitë e specializuara të institucioneve ndërkombëtare, që edhe na asistojnë në këtë fushë, për të bllokuar infiltrime të rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar në rajon, për të aktivizuar të gjitha instrumentat e shtetit të së drejtës për ndëshkimin e kriminelëve në vendin ku ndodh krimi, për ndalimin dhe mënjanimin e trafiqeve të lëndëve të rrezikshme dhe të qënieve njerëzore dhe në këtë funksion për fuqizimin e programeve dhe të institucioneve të rehabilitimit të viktimave, duke forcuar edhe kredibilitetin e vendit në partneritet me BE dhe vende të veçanta të tij, për shkak të nënshkrimit dhe të vënies në zbatim të marrëveshjeve të ripranimit.

Sistemi i reformave institucionale që vazhdojnë të zhvillohen, dua të ritheksoj se, po forcon kapacitetet institucionale e administrative dhe të gjyqësorit për të ndëshkuar veprimtaritë kriminale dhe për ta bërë shoqërinë më të lirë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›