E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dënuari thyen lejen dhe arratiset, pezullohet drejtori i burgut të Peqinit

PEQIN – Arratisja e të dënuarit, Romeo Rustemaj nga burgu i Peqinit i ka kushtuar pezullimin nga detyra drejtorit të burgut, Sajmir Salla. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur të pezullojë drejtorin e burgut, pasi i dënuari me 10 vite burg nuk është kthyer më në qeli pas përfundimit të lejes shpërblyese. Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve, që të dënuarit thyejnë lejen. Kjo situatë ka vënë në alarm Drejtorinë e Burgjeve, e cila pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente në orën 13:30, me të gjithë drejtuesit në rrethe.

ARRATISJA E ROMEO RUSTEMAJ
I dënuari Romeo Rustemaj, që vuante dënimin në burgun e Peqinit, nuk është kthyer në qeli edhe pse afati i lejes për të ka përfunduar dje në orën 13.00. Romeo Rustemaj nga Vlora, është dënuar me dhjetë vjet heqje lirie për vrasjen e një oficeri policie në rrethana cilësuese. Burimet thonë se Rustemajt i ishte dhënë për herë të parë leja shpërblyese. Ai është nisur për leje në orën 13.00 të datës 7 maj dhe duhet të kthehej në qeli dje në orën 13.00. 

Një rast i ngjashëm u shënua pak ditë më parë dhe në burgun e Fushë-Krujës ku i dënuari Ilir Avdillari, i njohur si një ndër anëtarët e bandave famëkeqe të viteve '97-'98 në Tiranë, përfitoi një leje me afat 7- ditor, por ai nuk u kthye brenda afatit të lejes. Avdillari
u arrestua dy ditë pas arratisjes ku ai i gjet në afërsi të Rrogozhinës. Arratisja e Avdillarit u pasua dhe me pezullimin nga detyra të drejtorit të burgut të Fushë-Krujës.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›