E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri e Stefanoviq diskutojnë rrjedhën e dialogut teknik

Nga Express më 12 maj 2011 në ora 20:13

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri dhe shefi i ekipit negociator të Serbisë Borisllav Stefanoviq kanë biseduar të enjten për rrjedhat e dialogut teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me ç’rast të dy palët vlerësuan rëndësinë e angazhimit konstruktiv për gjetjen e zgjidhjeve praktike në interes të qytetarëve, të bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve evropiane.

Sikur edhe në takimin me zëvendëskryeministrin e Kosovës Hajredin Kuçi, edhe takimi i dytë i zyrtarit serb në Prishtinë me shefen e ekipit negociator të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministren Edita Tahiri ka qenë i mbyllur për media.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës ka një filozofi moderne për shtetin, angazhohet për një Kosovë euro-atlantike dhe se Kushtetuta e Kosovës është garant i vlerave demokratike, të ekonomisë së tregut dhe mundësive të barabarta për gjithë qytetarët dhe komunitetet.

“Ne angazhohemi për fqinjësi të mirë midis shteteve dhe stabilitetin rajonal dhe në këtë kuadër kemi pranuar dialogun teknik me Serbinë”, ka thënë Tahiri.

Stefanoviq nga ana e tij falënderoi zëvendëskryeministren Tahiri për këtë takim dhe konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë së Serbisë për të kontribuar pozitivisht në mbarëvajtjen e dialogut teknik, thuhet në një komunikatë për media nga Qeveria e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›