E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deda: Borko u ngut

Nga Express më 12 maj 2011 në ora 19:09

Ilir Deda, përfaqësues i Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, në ekipin e dialogut teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ardhja e Borko Stefanoviqit në Kosovë është vizitë e ngutshme.

“Është e hershme vizita e zotit Stefanoviq në Kosovë, me një nguti. Ky është një vendim, të cilin e ka marrë Qeveria dhe duhet të bisedoj më shumë me ata që e kanë marrë këtë vendim - pse e kanë marrë në këtë moment?! Ju e keni parë që edhe zonja Tahiri nuk ka qenë shumë e entuziazmuar për këtë vizitë dhe unë vetëm mund të përfundoj se ka qenë shumë e hershme vizita e zotit Stefanoviq”, ka deklaruar Deda në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë gjithashtu se ka qenë dhe është kundër hyrjes në këtë proces, duke thënë se koha e nisjes së këtij procesi të dialogimit ka qenë moment që nuk i ka konvenuar Kosovës.
Deda ka thënë se qëndrimi i presidentes është shumë i qartë se do të bisedohet vetëm për çështje ndërmjet dy shteteve, e jo, siç thotë ai, “për çështje të brendshme”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›