E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg pa afat të arrestuarve me 2.1 kg heroinë

Gjykata e Tiranës ka dhënë dje masën e sigurisë për 5 personat e arrestuar teksa shkëmbenin drogën në rrugë

TIRANË- Gjykata e kryeqytetit, me kërkesë të organit të akuzës, vendosi të izolojë në qelitë e paraburgimit me masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve pesë të arrestuarit e katër ditëve më parë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim. Pasi në momentin e arrestimit të shtetasve: Ibrahim Cani, Ardit Bakalli, Nikolin Merko, Denis Caveli dhe Fatmir Mezini dhe kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë sekuestruar rreth 2.1 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar për heroinë. Para togave të zeza të kësaj gjykate, të arrestuarit kanë pretenduar se janë të pafajshëm, duke kërkuar lirimin e tyre me një masë më të butë të sigurisë. Sipas kërkesës së organit të akuzës, që u shqyrtua nga gjyqtari i gatshëm i masave të arrestuarit prej kohësh në bashkëpunim me njëri-tjetrin tregtonin dhe shisnin në qytetet e ndryshme të vendit, si në rrethin e Elbasanit, Peqinit, Kavajës dhe Tiranës lëndë narkotike me sasi të ndryshme. “Me marrjen e këtyre informacioneve policia e shtetit ka organizuar operacionin e arrestimit të tyre duke e koduar me emrin “Trekëndëshi” ku pas një ndërhyrjeje të policisë në vendin që ata strehoheshin policia ka mundur të arrestojë të pesë personat dhe i sekuestroi atyre më shumë se dy kg drogë”,- thanë burimet të cilët po punojnë për dokumentimin ligjor të aktivitetit të dyshimtë të tyre si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje. Katër ditë më parë, policia e antidrogës së kryeqytetit bllokoi dy kilogramë heroinë dhe arrestoi të pesë persona në rrugën e Elbasanit pa mundur të dërgojnë në destinacion drogën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›