E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti polar përfshin verilindjen, ja situata aktuale në vend

TIRANE- I ftohti polar ka përfshirë sot verilindjen e vendit, ndërsa situata temperaturat kanë rënë ndjeshëm në mbarë vendin.
"Në qytetin e Kukësit temperaturat lëvizin nga - 6 në - 11 gradë celcius, ndërsa në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, siç është Shishtaveci, Arrni, etj., temperaturat kanë rënë deri në - 20 gradë celcius", thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Sipas tij, rënia e temperaturave ka bërë që të mos arrihet ende të rihapen disa nga akset rrugore në qarkun e Kukësit si ato të komunave të Shishtavecit, Zapodit, Arrnit, Grykë Cajës dhe Kalisit.

Në këto kushte janë të rralluar lëvizjet nga njëri fshat në tjetrin, si dhe lëvizjet edhe në rrugët e qytetit të Kukësit.
I ftohti polar ka bërë që të gjitha akset rrugore të zonës verilindore të mbulohen nga shtresa akulli, që kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e mjeteve edhe pse gjatë këtyre ditëve nuk janë regjistruar reshje dëbore.
Nga ana tjetër, nga postblloqet e policisë është ndaluar rreptësisht në këto akse rrugore lëvizja e mjeteve pa zinxhirë. Ndërsa vazhdon të jetë e normalizuar situata në segmentin e autostradës Morin- Kukës- Tunel, ku lëvizja e mjeteve vazhdon të jetë normale.
Ndërkohë, i ftohti deri tani ka shkaktuar pak shqetësime në furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike. “Aktualisht për shkak të defekteve në rrjet janë pa energji elektrike vetëm banorët e fshatrave të komunës së Tropojës së vjetër", thotë Tema.
Elbasan
Elbasan, ulja e temperaturave, akset të kalueshme
Temperatura në qytetin e Elbasanit ka zbritur në 2 gradë celcius, ndërsa në zonat malore si Gjinar, Stëblevë e Stravaj, temperatura ka shkuar në -2 gradë celcius.
Edhe pse moti ka qenë i ftohtë, me vranësira dhe me erëra të forta, deri tani mësohet se të gjitha akset rrugore të rajonit të Elbasanit janë të kalueshme.
Durrës
Moti i paqëndrueshëm dhe temperaturat e ulta do të shoqërojnë sot kushtet atmosferike në gjirin detar të Durrësit.
Burime zyrtare nga kapiteneria e portit thanë se era do të ketë drejtimin veri-verilindje, me shpejtësi nga 8-10 m/sek, ndërsa nuk përjashtohen reshjet lokale të shiut. Temperaturat e ajrit në mesditë pritet të arrijnë vlerat maksimale 7-8 gradë celcius.
Valëzimi brenda gjirit të Durrësit parashikohet të ketë forcën 2, ndërsa në det të det të hapur nga 3-4 ballë.
Tre tragetet që lundrojnë në linjën Bari-Durrës kanë nisur të ankorohen në sheshin përkatës me vonesa të vogla. Në kalatat portuale proçesi i përpunimit të anijeve tregtare me mallra ushqimore vijon normalisht.
Vlorë
Mëngjesi sot në qytetin dhe në rrethin e Vlorës ka nisur me kushte të përkeqësuara të motit, krahasuar me një ditë më parë. Aktualisht, temperatura shënon 5 gradë celcius, ndërkohë që pritet të nisin reshjet e shiut.
Meteorologë vlonjatë thanë se, nuk përjashtohet mundësia që në zonat malore, në lartësinë mbi 1000 metra, të nisin reshjet e dëborës, çka përforcohet edhe nga kushtet aktuale të motit.
Por, pavarësisht kësaj, qarkullimi i automjeteve në akset kombëtare dhe ato rurale, vijon normalisht, megjithëse me një fluks në rënie krahasuar me ditët paraardhëse. Kjo situatë paraqitet edhe në segmentin që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë, ku deri tani automjetet mund të qarkullojnë pothuajse normalisht. Drejtori i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, Edmond Ibro, tha se përgjatë segmentit që përshkon këtë qafë po hidhen sasi të konsiderueshme kripe, për të shmangur problemet që janë krijuar si pasojë e ngricave dhe akullit, ndërkohë që mjetet po qëndrojnë në gatishmëri për çdo situatë që mund të krijohet nga reshjet e pritshme të dëborës.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur se sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Juglindje, me shpejtësi nga 4-6 deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit.
Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 7-9 gradë celcius dhe ato minimale nga 0-2 gradë celcius.
Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 2-3 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.
Korce
Sot termometri në qytetin e Korçës shënon nga minus 4 deri në minus 8 gradë celcius, sipas shërbimit meteorologjik, ndërsa në Pogradec temperaturat luhaten nga minus 6 deri minus 10 gradë celcius për shkak edhe të Veriut që fryn mbi liqen.
Dimër me temperatura mjaft të ulta ka edhe në Devoll e Kolonjë, ku edhe shtresa e bores është më e trashë. Nata edhe më e akullt, me temperatura që në fushën e Korçës kalojnë edhe më shumë se minus njëzet grade C.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Akulli në rrugë, izolohet prej 5 ditësh puna në Minierën e Bulqizës Mjekët apel për t’u mbrojtur nga virozat stinore VIDEO: Moti për sot 01 Shkurt 2012

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›