E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët apel për t’u mbrojtur nga virozat stinore

TIRANË- Në kushtet e temperaturave të ulëta, që kanë përfshirë vendin, strukturat shëndetësore apelojnë për më shumë kujdes për t’u mbrojtur nga prekja nga virozat stinore.

Nga të dhënat e fundit nga Instituti i Shëndetit Publik mësohet se gjatë një jave janë shënuar rreth 16 mijë raste me simptoma të virozave stinore, pjesa më e madhe e të cilave infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme.

Sipas të dhënave, 9350 raste janë paraqitur me infeksione të rrugëve të sipërme respiratore dhe 5450 me infeksione të rrugëve të poshtme. Grupmoshat më të prekuara janë ato fëminore, ndërkohë që nuk ka grumbullime rastesh apo infeksionesh respiratore.

Ndërkohë, sipas epidemiologëve, kemi të bëjmë me karakter sezonal të zakonshëm dhe nuk ka epidemi.

Mjekët apelojnë që qytetarët të zbatojnë masat e higjienës respiratore, të shmanget frekuentimi i ambienteve të mbyllura publike nga personat që janë të prekur nga gripi apo shfaqin shenja dhe ankesa të gripit. Referuar ambienteve të brendshme, ata këshillojnë që të sigurohet temperatura dhe ajrimi i duhur i tyre për të mundësuar funksionimin normal të aparatit të frymëmarrjes dhe reduktimin e ngarkeses mikrobike dhe virale.

Ndërsa për personat që dalin në ambiente të jashtme, mjekët këshillojnë të vishen me veshje te ngrohta për të ruajtur temperaturën trupore, të mbulohen pjeset më të ekspozuara si koka, qafa, kembet dhe duart, etj. Në rast të shfaqjes së simptomave gripale, qytetarët duhet të kontaktonjnë me mjekun për të marrë këshillat dhe kujdesin e nevojshëm.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›