I ftohti shkakton probleme në Austri

Ndërsa moti i keq dhe shirat kanë pushtuar pjesën më të madhe të Evropës, në Austri reshjet e dëborës dhe erërat e furishme shkaktuan probleme në shumë zona në perëndim të vendit. Fshatra dhe zona turistike janë izoluar.
Stuhia “Andrea” ka sjellë me vete erëra me shpejtësi mbi 130 km në orë dhe reshje dëbore në rajonin e Tirolit dhe Vorarlbergut. Ditët e fundit situata duket se ka ndryshuar dhe autoritetet e rajonit të Arlbergut janë shprehur të lehtësuar.
Siç raportojnë mediat, në disa zona prej së enjtes dëbora ka arritur mbi 1.2 metra. Të paktën 2000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.
Autoritetet paralajmëruan për rrezikun e ortekëve.
“Departamenti i mbikëqyrjes së ortekëve po vëzhgon me vëmendje situatën dhe po zhvillon takime për këtë çështje. Ata vendosin nëse një rrugë duhet të bllokohet ose jo, janë ata që vlerësojnë rreziqet dhe marrin vendime”, u shpreh Christopher Deiner, shefi i policisë së St.Anton.