E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, të shtëna ndaj vëzhguesve arabë

Televizioni arab Al Jazira ka njoftuar pak më parë plagosjen e një numri të pacaktuar personash në një sulm me armë zjarri të kryer nga persona të paidentifikuar, ndaj një autokolone të vëzhguesve arabë në Homs, epiqendër e represionit, në veri të Damaskut.

Transmetuesi ka cituar burimet e tij nga qyteti i tretë më i madh i Sirisë. Të shtënat e armëve të zjarrit pranë një turme protestuesish anti-regjim janë dëgjuar edhe në një video të shfaqur në këto momente në Youtube, ku shihet një makinë e autokolonës së vëzhguesve që kalon mes protestuesve.

Në video duket pastër makina ku udhëtojnë vëzhguesit, e cila në kofanon e saj ka një logo të madhe të Ligës Arabe. Vetura është rrethuar nga një gurp manifestuesish, të gjithë burra, që valëvisin flamujt sirianë të pavarësisë, një nga simbolet e revoltës kundër regjimit.

Pak sekonda më vonë dëgjohen të shtëna armësh automatike dhe klithma të manifestuesve. Në këtë moment pamjet bëhen konfuze dhe videoja ndërpritet.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›