E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në LDK vend për gjithë ata që përqafojnë konceptet dhe vizionin e saj

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vazhduar të hënën ciklin e diskutimeve me anëtarësinë e gjerë për orientimet politike e programore dhe ndryshimet në statutin e saj, si dhe për vazhdimin e procesit të reformave të brendshme në parti.

Të hënën është mbajtur takimi i gjashtë me radhë me krerët e LDK-së të Ferizajt, Shtimes, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, në të cilin merrnin pjesë drejtues të lartë të këtij subjekti të prierë nga Isa Mustafa.

Kryetari i LDK-së, Mustafa ka thënë se në programin politik dhe në statutin e LDK-së do të merren parasysh vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet që do të dalin në debatet me anëtarësinë e gjerë, sepse LDK-ja do të hapet për të gjithë ata që duan dhe kanë vullnet ta përqafojnë vizionin e LDK-së për të ardhmen e vendit.

Në këtë kuadër, Mustafa ka thënë se LDK-ja do t’u krijojë hapësirën e nevojshme edhe të rinjve, grave, edhe përfaqësuesve të bizneseve, sepse sipas tij, LDK-ja para së gjithash, synon të punojë për interesat e qytetarëve të vendit, të cilët presin zgjidhjen e problemeve të tyre pikërisht nga LDK-ja.

Ai ka thënë se fryma rugoviane do të jetë e pashuar në këtë parti dhe tri konceptet politike të presidentit Ibrahim Rugova “Liri, Demokraci, Pavarësi”, të cilat do të zgjerohen më tej dhe të njëjtat do t'i japin shtysë zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit në gjithë lëmenjtë e tij.

“Duhet të punojmë edhe më tej për lirinë dhe qytetari këtë liri ta përjetojë në familje, vend pune, në komunë etj, të mbroj lirinë e vet. Pikëpamja për pavarësinë konsiston në atë se LDK-ja e konsideron çështjen e sovranitetit të përfunduar dhe të panegociuar, ndërsa demokracia nënkupton votën e lirë të qytetarit”, ka thënë Mustafa, duke përmendur edhe çështjen e mos interferimit të pushteteve, si një çështje mjaft kruciale.

Kreu i LDK-së ka thënë se anëtarë të LDK-së mund të jenë të gjithë ata që përqafojnë konceptet dhe vizionet e kësaj partie, pa përjashtim.

“Politika jonë nuk është të nxjerrim jashtë LDK-së askënd, as të bëjmë këmbim gjeneratash, por të bëjmë një koegzistencë të gjeneratave”, është shprehur Mustafa.

Po ashtu, në këtë bashkëbisedim u theksua se qëllimi themelor i programit politik dhe i statutit të ri të LDK-së është zhvillimi i demokracisë së brendshme në LDK dhe për këtë u tha se me rëndësi është të qartësohen detyrat e të gjithëve në LDK, nga anëtari, deri te kryesia, me qëllim të konsolidimit dhe të forcimit të mëtejmë të saj. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›