I ftohti, vdesin dy persona në Korçë
Një mot me borë e shi, por me temperatura tepër të ulëta, ka provokuar një sërë problemesh në verilindje e juglindje të vendit. Dy persona nga Korça u gjetën të vdekur, si pasojë e të ftohtit, ndërsa disa shkolla janë mbyllur pasi rrugët për atje janë të pakalueshme. Policia bëri të ditur se dy vdekjet në Korçë kanë qenë natyrale, pasi viktimat kishin probleme kardiake. Por temperaturat e ulëta të ditëve të fundit kanë provokuar shqetësime deri në humbjen e jetës për ta. Njëri prej tyre, Th.Andrea, 60 vjeç u gjet i pajetë mbrëmjen e së mërkurës nga disa kalimtarë, në një rrugë të lagjes 3, të qytetit. Ndërsa 77-vjeçari Th.Stefo nga fshati Drenovë, i cili jetonte i vetëm në banesë, u zbulua pa shenjë jete nga bashkëfshatarët e tij. I gjithë rajoni i Korçës është mbuluar nga bora, duke shkaktuar vështirësi të qarkullimit të mjeteve. Për rrjedhojë, në disa shkolla të rrethit të Korçës mësimi është pezulluar, apo ka filluar me vonesë, pasi mësuesit nuk kanë mundur të arrijnë zonat e largëtave, si Podgorie, Lozhan apo Moglicë. Më problematike situata ishte në segmentet Pirg - qafa e Plloçës, qafa e Thanës, qafa e Qarrit që lidhet me rrethin e Kolonjës apo edhe rrugët që të çojnë në fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës. Të njëjtat probleme janë hasur dhe në qarkun e Dibrës, ku 4 komuna janë izoluar totalisht. Në mbledhjen e djeshme të Shtabit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës Dibër është konfirmuar bllokimi i komunave Xibër, në rrethin e Matit, Ostren e Trebishtin në rrethin e Bulqizës dhe Selishtë në rrethin e Dibrës. Në komunën e Martaneshit trashësia e dëborës dje ishte 50 cm dhe rruga nga Krasta në Qafë Bualli ishte e kalueshme vetëm me zinxhirë. Në Burrel, tre shkolla nuk janë hapur sepse ka qenë e pamundur të transportoheshin me fugon mësuesit nga Burreli në drejtim të fshatrave. Temperatura të ulëta deri në -6 gradë janë shënuar dhe në Kukës. Dëbora e rënë ka izoluar edhe komunat Zapod, Arrën dhe Kalis. Policia rrugore ka ushtruar kontrolle dhe postblloqe, duke mos lejuar kalimin e automjeteve pa zinxhirë. Dimri dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që të reduktohen udhëtimet nga Kosova e Kukësi në drejtim të Tiranës dhe Durrësit e anasjellas. Shumë udhëtime janë ndërprerë, ndërkohë që kalimi i rrugës për automjetet e rënda është i pamundur. Vështirësi ka pasur dhe në autostradën nga Rrësheni, në hyrje të tunelit të Kalimashit, ku ka udhëtime sporadike. Me fillimin e reshjeve të dëborës nuk ka më udhëtime në shtegun mbi tunel. Moti i keq dhe mungesa e ngrohjes në klasa la dje pa mësim mbi 500 nxënës të gjimnazit në qytetin e Rrëshenit. Vendimi për mos zhvillimin e mësimit është marrë fillimisht nga ana e qeverisë së nxënësve, të cilët janë mbledhur duke ia komunikuar më pas edhe Drejtorisë së shkollës.Probleme në qarkullim• Në të gjitha akset rrugore të Kukësit• Qafë-Kërrabë -Elbasan• Librazhd-Qafë Thanë-Korçë• Vau i Dejës-Pukë-Fushë Arrëz-Qafë Mali-Fierzë• Vau i Dejës-Qafë Laç-Koman