Tuneli i Durrës-Kukës gati para verës
Tuneli i Thirrës, i bllo-kuar prej më shumë se dy muajsh për shkak të shembjes, pritet të hapet para sezonit të verës. Këtë e konfirmojnë burime pranë kompanisë, ndërkohë që në një njoftim më të fundit për mediat bëhet e ditur se aktualisht punimet në tunel vazhdojnë sipas afateve të përcaktuara. "Momentalisht në tunel punojnë 10 ekipe me një numër total prej 200 punëtorësh. Puna vazhdon paralelisht në të dy tubat e tunelit, ditën dhe natën" thuhet në njoftimin për mediat. Por, sipas të dhënave është implementuar stabilizimi i punimeve në të dy tunelet në të gjithë zonën, ku ka pasur probleme gjeologjike dhe zona të cilësisë së dobët shkëmbore. Si rezultat i shembjes dhe problemeve në tunel nga ana e kompanive është rishikuar dizenjimi i tunelit, i cili tani parashikon që izolimi primar i zonave të pa betonuara të kryhet në një trajtë ovale dhe forcimi të bëhet përmes betonimit dhe forcimit me struktura hekuri. Izolimi përfundimtar sipas dizenjimit të rishikuar parashikon riforcim me 500mm beton. Për t'i minimizuar lëvizjet dhe për të siguruar stabilitet unaza e tunelit është mbyllur në një seksion prej 12m para se të avancohet në seksionet e tjera. Burimet pranë kompanisë që kryen punimet, bëjnë të ditur se shembja ka përfshirë vetëm njërin nga tubat e tunelit, kurse tubi tjetër është funksional, por në të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve të kompanisë për efekt të punimeve që po kryhen. Sipas synimeve të kompanisë por edhe afateve është menduar që limiti i fundit të jetë para sezonit të verës atëherë kur pritet që fluksi i atyre që do të duan të kalojnë në këtë rrugë të jetë i madh. Historia e tunelit të Thirrës filloi në datë 5 nëntor të vitit të kaluar kur në njërin nga tubat ndodhi një shembje problematike si rezultat i lëvizjeve gjeologjike. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, i vetmi informacion i dhënë herë pas here ka qenë ai lidhur me avancimin e punimeve por asnjë e dhënë lidhur me dëmin e shkaktuar dhe koston. Herë pas here opozita ka kritikuar qeverinë për koston e lartë të këtij tuneli që shpesh është lakuar si 100 milionë dollarë.