E Shtunë, 31 Tetor 2026

I gatshëm për ndihmë

Ylli kosovar i Sunderlandit, Lorik Cana ka shprehur gatishmërinë e tij që të bëhet pjesë e ekipit lobues të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në rrugën e saj drejt inkuadrimit në FIFA e UEFA.

Ndërsa, pas inkuadrimit të FFK-së në FIFA e UEFA, Cana ka përsëritur edhe njëherë se nuk planifikon ta veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës, por se do të vazhdojë t’i mbrojë ngjyrat e Kombëtares së Shqipërisë.

Këto komente Cana i bëri të enjten në Prishtinë, ku ka ardhur për pushime pasi përfundoi sezonin në Premierligën angleze me Sunderlandin, respektivisht para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK).

“Jam i gatshëm të bëhem pjesë e delegacionit të FFK-së për të bërë përpjekje për pranim në FIFA e UEFA. E njoh mirë presidentin e UEFA-s, por edhe atë të FIFA-s. Unë u pata ftuar nga FFK-ja edhe në dy takimet e Fadil Vokrrit që i ka pasur me udhëheqësit e FIFA-s, por nuk kam mundur t’i bashkohesha delegacionit kosovar shkaku i obligimeve në klubin tim. Por, gjithsesi se jam i gatshëm të ndihmoj në këtë drejtim, sepse e kam edhe obligim”, ka deklaruar Cana, duke shprehur bindjen e tij se brenda pakë viteve futbolli kosovar do të përparojë dukshëm.

“Jemi një komb me dy përfaqësuese. Mendoj se nuk kemi kualitet për t’i krijuar dy përfaqësuese të forta, andaj nuk kam menduar për ta ndërruar Kombëtaren e Shqipërisë. Ëndërroj që me Shqipërinë të marr pjesë në një kampionat botëror”, theksoi mesfushori i cili është në pritje që zyrtarisht të emërohet kapiten i reprezentacionit kuq e zi. Po të enjten Cana është pritur edhe nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Këshillon FSHF-në

Lorik Cana thotë se me ndjenja të veçanta e bart fanellën e Kombëtares shqiptare. Por, ai ka pohuar se nevojitet ende shumë punë për t’u bërë në këtë Kombëtare në mënyrë që të krijohet një ekip i fortë, i cili do të mund të paraqitej denjësisht në garat ndërkombëtare.

Ish futbollisti i PSG-së dhe i Marseille mendon se ekipi kuq e zi ka nevojë të freskohet me disa lojtarë të rinj, e posaçërisht me të atillë që kanë prejardhje nga Kosova.

“Nëpër Evropë ka shumë lojtarë kualitativë shqiptarë. Do të ishte mirë që të hapen zyrat nëpër ato vende, ashtu siç bën edhe Turqia, në mënyrë që të vëzhgohen ata futbollistë dhe të vihen kontaktet me ta”, tha Cana.

“Me qenë i sinqertë, bazuar në cilësitë e lojtarëve të Kosovës që luajnë nëpër Evropë, mendoj se në ekipin kombëtar të Shqipërisë rreth 80 për qind e lojtarëve e meritojnë të jenë kosovarë”, shtoi kapiteni i Sunderlandit.

Ai pohoi se ka ndërmjetësuar rreth angazhimit të Migjen Bashës në ekipin kuq e zi, për të cilin futbollist edhe selektori Josip Kuze ka pohuar se është duke u interesuar.

Ndërkohë, 26 vjeçari i ka dalë në mbrojtje të futbollistit kosovar të Bochumit, Mërgim Mavraj, i cili është kritikuar nga mediat shqiptare pasi refuzoi në momentet e fundit që të vishet kuq e zi.
“Kjo çështje mendoj se nuk ka të bëjë me patriotizëm, por është e drejtë e futbollistit të zgjedhë dhe vendimi duhet respektuar”, theksoi Cana.

Cana në Arsenal?

Lorik Cana e ka vlerësuar si pozitiv edicionin e tij të parë në Premierligën angleze me Sunderlandin, ku ishte transferuar nga Olympique Marseille në verën e kaluar.

Por, mesfushori me prejardhje nga Gjakova nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas një apo dy viteve ta braktisë Sunderlandin për t’iu bashkuar Chelseas, Manchester Unitedit, ose Liverpoolit, e në veçanti Arsenalit.

“Pas një apo dy vitesh mund të kaloj në njërin prej katër ekipeve më të mëdha angleze. Me trajnerin e Arsenalit, Wenger, veç jam në kontakte. Po meqenëse është fillimi i karrierës sime në Angli, kam nevojë të fitoj edhe pak eksperiencë dhe më pas besoj se do ta marr një vendim të qëlluar”, tha Cana.

I pasionuar pas historisë shqiptare

Reprezentuesi shqiptar, Lorik Cana ka pohuar se pasi ta përfundojë karrierën si futbollist aktiv synon të bëhet historian i kombit shqiptar. Madje ai tregoi se veç i ka nisur studimet e kësaj dege në Tiranë.
“Është ende shumë herët të flas se çfarë do të bëj pasi ta përfundoj futbollin. Por, unë kam një pasion për historinë tonë kombëtare. Andaj veç i kam nisur studimet në Tiranë. Dua të merrem me arkeologjinë tonë, që e kemi shumë të pasur”, pohoi ai.

As me EULEX-in as me Vetëvendosjen!

Lorik Cana ka hasur në një situatë të palakmueshme gjatë komunikimit të tij me studentët e AUK-ut, kur një i tillë e pyeti kështu 26 vjeçarin: “Sikur të ishin ekipe të futbollit EULEX-i dhe ‘Vetëvendosja’, atëherë për cilën skuadër do të kishe nënshkruar kontratë?”. Në këtë rast Cana u përgjigj shumë shkurt, duke qeshur: “Do ta lija futbollin”.

Lojtari më i mirë i sezonit

Kapiteni Lorik Cana e ka fituar çmimin Star Man (futbollisti më i mirë i vitit) te Sunderland, për të cilin kanë vendosur fansat e klubit në uebfaqen safc.com. Mesfushori kosovar ka fituar 14 nga 42 ndeshjet kur është bërë sondazhi, duke i lënë prapa futbollistët si Craig Gordon e Andy Reid. Triumfi i tij i fundit ishte në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Wolves, kur 36.5 për qind e votuesve e pëlqyen më së shumti paraqitjen e tij. Vetë futbollisti ka thënë se ndihet i nderuar në këtë rast.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›