I gjenden 700 gramë ar të fshehur
Doganierët në pikën kufitare të Hanit të Elezit kanë parandaluar sot kontrabandimin e një sasie të konsiderueshme të arit, të cilën dy persona me një veturë me targa të Maqedonisë tentuan ta fusin në Kosovë.
“Sot rreth orës 08:35 ka hyrë në pikë-kalimin kufitar një veturë e llojit “Seat Toledo”, me targa të Maqedonisë me dy bashkudhëtarë, me këtë rast oficerët doganorë kanë parandaluar kontrabandimin e një sasie të konsiderueshme të arit”, ka njoftuar zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.
Pas ndalimit, pala nuk ka deklaruar asgjë për zhdoganim, sidoqoftë oficerët doganorë e kanë selektuar për kontroll më të detajuar këtë veturë. Në veturë nuk është gjetur asgjë, mirëpo pas kontrollit trupore të pasagjeres, është gjetur një sasi ari e fshehur në trup.
Vlera e mallit të padeklaruar, stoli Ari me peshë 700 gr, sipas vlerësimeve preliminare llogaritet në mbi 10.000 euro.
Udhëtarët kanë tentuar ta kontrabandojnë këtë sasi të arit për t’i ikur obligimeve doganore për vlerën totale të tij, prandaj personi fizik ka kryer kundërvajtje doganore sipas nenit 253 pika 1 e Kodit Doganor dhe Akcizës nr. 03/L-109, theksohet në komunikatën e Doganave të Kosovës.
Malli i është nënshtruar konfiskimit deri në përfundimit e procedurës kundërvajtjes.