Çitaku, takime në Bruksel
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, gjatё qëndrimit nё Bruksel, sot, ka marrë pjesë në takimin kryesor të drejtorëve politikë për rajonin e Ballkanit të Ministrive të Punëve të Jashtme të shteteve që përbëjnë Grupin Drejtues Ndërkombëtar (GDN).
Sipas një komunikate të MPJ-së, në paraqitjen e ministres Çitaku para diplomatëve të shteteve përkrahëse të Kosovës u spikatën sfidat kryesore të periudhës së kaluar dhe mundësitë e reja për forcimin e shtetit të Kosovës në suaza të proceseve integruese me BE’në.
Ministrja Çitaku deklaroi se zgjedhjet kombëtare, përkundër procesit të sfiduar nga gara e ashpër e kandidatëve dhe partive, megjithatë dëshmoi forcën e institucioneve kosovare, KQZ-së dhe organeve përkatëse gjyqësore në adresimin e brengave të aktorëve në pejsazhin politik.
Më tutje, ministrja Çitaku potencoi nevojën e punës më të madhe në konsolidimin dhe formalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe BE’së, për çka morri përkrahje nga shtetet anëtare të GDN-sё.
Çitaku gjatë ditës së punës u takua edhe me drejtorin për Ballkan Perëndimor të Komisioni të BE’së për zgjerim, z. Pierre Mirel, si dhe me drejtorin e ri për Ballkanin të shërbimit të ri diplomatik të BE’së, Z. Miroslav Lajcak dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE’së.
Znjsh. Çitaku po ashtu pati takime të rëndësishme bilaterale me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe me drejtorin politik të MPJ-së sё Turqisë.
Në takimet e zhvilluara, palët përshëndetën përfundimin e ciklit zgjedhor në Kosovë dhe mirëpritën lajmet për krijimin e Qeverisë shumë përfshirëse që synon realizimin e agjendёs evropiane, me fokus të veçantë në përshpejtimin e procesit të përmbylljes së fazës së pavarësisë së mbikëqyrur dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.