E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyndje futbollistesh të huaj të Vllaznia

SHKODËR- Pesë futbollistë të huaj kanë qënë në provë tek Vllaznia në ndeshjen miqësore të zhvilluar pasditen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Stafi shkodran e kishte kërkuar këtë miqësore për të vëzhguar nga afër nivelin e futbollistëve të huaj, ndaj dhe vemendja e tyre ka qënë më tepër e përqëndruar tek anglezi, David Pit, që luante në repartin e sulmit, afrikani Felecian Singbo, në mbrojtje, Serxhio Morena, mesfushor nga Andora dhe dyshja sllovake, Oravec dhe Milanik, i pari i aktivizuar në repartin e sulmit dhe i dyti në atë të mbrojtjes.

Pas përfundimit të ndeshjes, pjestarët e stafit teknik, trajneri i parë, Rudi Vata, zëvendësi i tij, Vioresin Sinani si dhe këshilltari teknik, Ramazan Rragami, kanë qëndruar gjatë në një konsultë profesionale duke analizuar lojën e futbollistëve të huaj, prej të cilëve, duket se vetem dy prej tyre e kanë kaluar "klasën".

“Nga ato që pamë në fushën e lojës, ne si staf vendosëm që dy prej tyre, afrikani Singbo dhe Serxhio Morena nga Andora të jenë pjesë e Vllaznisë, ndërsa tre të tjerët do të kthehen mbrapsht”, tha tekniku Vata në një prononcim për mediat. Ndërkohë, Vata bëri të ditur se diten e shtunë presin edhe futbollistë të tjerë me peshë në kampionatin shqiptar, siç janë kapiteni i Bylisit, Amarildo Dimo, i shquar si golashënuesi brazilian Da Silva edhe ky pjesë e Bylisit në fazën e parë të kampionatit në rolin e mbrojtësit të qëndrës, apo edhe të tjerë, nga kampionati shqiptar dhe jashtë vendit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›