E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi Meta – Prifti, vendimi më 16 janar. Avokatët: Prokuroria, në mjerim të thellë – pretenca e bazuar në akuzat e mashtruesit të vitit

06-01-2012 / Gazeta 55

“Dështim i turpshëm i Prokurorisë”. Kështu u cilësua nga avokatët e Ilir Metës, seanca e sotme për video – përgjimin Meta – Prifti, ku organi i akuzës kërkoi 2 vite burg dhe 1 milionë lekë gjobë për ish zv/kryeministrin. Gjatë dhënies së pretencës prokurori i çështjes Bujar Sheshi rindërtoi në mënyrë të detajuar të gjithë ngjarjen që sipas tij e ngarkon Metën me akuzën për korrupsion. Sipas tij, janë vërtetuar provat për favorizimet që ish-zv/kryeministri Ilir Meta u bënte kompanive të caktuara për marrjen e koncesioneve të hidrocentraleve. Ai tha se provat e disponuara prej tij, janë ato të denoncuara nga Dritan Prifti, ndërsa pranoi publikisht se s’kishte asnjë provë tjetër paralele që mund të forconte akuzat për korrupsion. Nga ana tjetër, i menjëhershëm ishte reagimi i avokatëve të Ilir Metës, të cilët kanë kundërshtuar vendimin e prokurorisë duke shtuar se qëndrimet e saj janë të pambështetura në prova. Në një prononcim për mediat përfaqësuesi ligjor i Metës, Spartak Braho theksoi se prokuroria dha sot pseudo – argumente ndërsa shtoi se ajo mbeti në mjerim të thellë për argumentet dhe provat me të cilat u mbështet për dhënien e pretencës. “Për të shpëtuar nga mbytja prokuroria u kap me dhëmbë pas komerdares së shpuar të mashtruesit të vitit. Pafajësia e Ilir Metës është evidente pasi e tillë është e vërteta”- u shpreh Braho. Ndërkaq, Gjykata e Lartë ka shtyrë për në datën 16 janar vendimin për ish-zv/kryeministrin Ilir Meta. Në seancën e sotme Prokuroria kërkoi 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë për kreun e LSI-së, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit aktiv dhe abuzimit me detyrën.

 Seancën e kaluar, Gjykata pranoi të gjitha provat shkresore të mbrojtjes ndërsa hodhi poshtë prokurorinë për disa nga provat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të paligjshme. Trupi gjykues pranoi të merrte në cilësinë e provës nga ana e akuzës, vetëm lap topin, USB-në dhe orën që ka shërbyer si kamera gjatë video-përgjimit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›