Vizita e Tadiç në Kosovë, protesta në Deçan dhe Pejë

Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Tadiç ik nga Kosova”, “Patrikana është e Pejës”, “Shqipëria natyrale – realitet” dhe “Protesta është qytetërim”
Presidenti serb Boris Tadiç ka arritur në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare të Merdares rreth orës 15.00, me helikopter ka shkuar në Pejë, më pas në manastirin e Deçanit për festimin e krishtlindjeve ortodokse. Mbërritja e Tadiçit nuk është bërë publike për mediat, ndonëse policia e Kosovës konfirmoi ardhjen e tij në Kosovë. Në hyrje të kufirit Kosovë-Serbi u bllokua ambasadori rus në Beograd Aleksandër Konuzin i cili shoqëronte kolonën e Tadiçit. Ai u detyrua që të ndryshonte rrugë duke udhëtuar drejt Patrikanës së Pejës, pasi nuk u lejua që të shkonte në Manastirin e Deçanit nga qindra protestues shqiptarë. Ambasadori rus shoqërohej nga peshkopi i Lipjanit Jovan. Në autostradën Prishtinë-Podujevë, policia arrestoi 6 aktivistë të Vetëvendosjes të cilët ishin duke udhëtuar për në Merdare për të kundërshtuar ardhjen e presidentit serb. Ata më pas u liruan. Ndërkohë qindra qytetarë në Deçan protestuan kundër vizitës së Tadiçit. Protestuesit bllokuan rrugën për të mos lejuar ardhjen e tij. Gjatë një organizimi të Lëvizjes së Lirë Qytetare, qindra shqiptarë protestuan në qendër të qytetit të Pejës duke e kundërshtuar ashpër ardhjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadic, në Kosovë. Ata mbanin në duar mbishkrimet “Tadiç ik nga Kosova”, “Patrikana është e Pejës”, “Shqipëria natyrale – realitet” dhe “Protesta është qytetërim”. Mustaf Lajçi, organizator i protestës, tha sot se politika e Tadiçit është identike me atë të Millosheviçit. Kishat fetare janë të besimit ortodoks shqiptar dhe jo rastësisht Patrikanën e Pejës e ruajtën Kelmendasit, ndërsa Manastirin e Deçanit e ruajtën Demukajt, si kulte tona fetare”, tha Lajçi. Presidenti serb shkon në Kosovë me leje të qeverisë së Prishtinës, e konfirmuar kjo edhe nga zv/kryeministri Hajredin Kuçi.
...