E Shtunë, 31 Tetor 2026

I helmon gullashi

Gjysma e të afërmve që ishin mbledhur në shtëpinë e familjes Hasani për kryeshnosh, janë helmuar nga ushqimi. Të gjithë janë dërguar në spitalin e Vushtrrisë, derisa njëri nga ta është transportuar në QKUK në Prishtinë. Feriz Hasani thotë se ushqimi është porositur në gjellëtoren “Xhaxhi” në Vushtrri. Pronari i gjellëtores mohon që këta të jenë helmuar nga gjella e tij. Ai thotë se helmimi ka ndodhur nga dreka e një gjellëtoreje tjetër. Nga Lirita Halili më 30 prill 2011 në ora 10:33

Kishin hapur të pame për një rast vdekjeje, por përfunduan vetë në spital. Familja Hasani nga fshati Vilanc i Vushtrrisë, kishin hapur derën prej të mërkurës, për burrat të cilët vinin për kryeshnosh. Atyre u kishte vdekur një familjar i afërt. E, siç e do tradita, familja e ngushtë, gratë veç nga burrat, gjatë ditëve kur presin të afërmit, hanë bukën në atë shtëpi ku mbahet e pamja.

Kështu familja Hasani kishte vendosur që të porositin drekën për 75 persona, në gjellëtoren “Xhaxhi” nga Vushtrria. Por kjo drekë, nuk është se atyre u doli siç e prisnin. Pak minuta pas ngrënies së puresë me gullash, 23 personat nga të gjithë ata që kishin ngrënë bukë, janë detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore në repartin e emergjencës në Vushtrri. Të gjithë vuanin nga simptoma e njëjtë. Ata ishin helmuar nga ushqimi i konsumuar.

Feriz Hasani është njëri ndër ata që kishte këtë fat. Ai thotë se pak minuta pasi kishte ngrënë bukë, bashkë me burrat e tjerë që ndodheshin në dhomë, ka filluar të ndjejë diçka të pazakontë në barkun e tij. “Kemi ngrënë bukë diku nga ora 14:30. Po pasi u bënë 20 minuta, kanë filluar dhimbjet, mundimet, vjellje, dridhje të trupit, dhimbje të kokës”, rrëfen Ferizi për Express.

Por edhe pas kësaj ndjesie, Ferizi thotë se nuk ka guxuar të mendojë te më e keqja. “Nuk e kisha idenë çfarë po bëhet, edhe pse dyshoja se bëhet fjalë për helmim. Por këtë e kam kuptuar pasi kanë ngrënë edhe gratë”, pohon ai. “Prej gjithsej 75 personave sa kemi ngrënë, 23 prej neve, burra e gra, kemi fillu me vjellë. Të gjithë anëtarët e rrethit të ngushtë të familjes, jemi helmu”, thotë i bindur Feriz Hasani.

Madje ai thotë se njëra ndër vajzat e familjes, gjatë asaj dite, ishte në gjendje shumë të rëndë. “Ajo është dërguar drejt në spitalin e Prishtinës, ku është trajtuar dhe tash është mirë. Ndërsa ende janë në gjendje të keqe dy motrat e mia që ndodhen në spitalin e Vushtrrisë”, tregon Ferizi, i cili thotë se personalisht tash është mirë, përveç që ka pak dhembje të kokës.

Edhe pse nuk e fajëson gjellëtoren tek e cila ata kishin porositur drekën, Ferizi thotë se dyshime të tjera për helmim të këtyre personave, duke përfshirë edhe veten, nuk ka. Kjo sepse ai tash po i pret rezultatet e Institutit rajonal të shëndetësisë, i cili ka marrë mostrat e ushqimit për analizë. “Por unë e di saktë që ushqim tjetër ne nuk kemi pasë. I vetmi ushqim ka qenë ai që e kemi porositur nga gjellëtorja e Kadrisë, gullash, mish, pire dhe sallatë”, thotë Feriz Hasani, sipas të cilit kjo nuk është hera e parë që familja e tij bën porosinë e ushqimit te gjellëtorja e njëjtë, prej së cilës ai dyshon të jetë helmuar. “Kjo nuk është hera e parë që ne marrim ushqim nga kjo gjellëtore, mirëpo asnjëherë nuk na ka ndodhur kjo, që ne të helmohemi”, thotë i bindur ai.

Por rrëfim tjetër nga ai i Feriz Hasanit, ka Kadri Imeri, pronar i gjellëtores “Xhaxhi”, e cila i kishte përgatitur drekën kësaj familjeje. Kadriu thotë se një ditë para se familja Hasani të bëjë porosi në gjellëtoren e tij, ata kishin porositur ushqim në një tjetër vend. “Kanë ardhur dhe vetë më kanë thënë që kanë bërë porosi në një tjetër gjellëtore, por ushqimi nuk kishte qenë i mirë. Prandaj, më lutën që për ditën e dytë unë t’ua bëj drekën”, tregon Kadriu për Express.

Prandaj, ai thotë se ka dyshimet e tij që ushqimi nga gjellëtorja e tij është përzier me ushqimin e porositur një ditë më parë nga gjellëtorja tjetër. “Unë të gjitha i kam të freskëta dhe kurrë në jetë nuk më ka ndodhur që dikush të më ankohet se i ka ndodhur diçka pasi ka ngrënë ushqimin tonë”, pohon pronari i gjellëtores “Xhaxhi”.

Këtë rast të helmimit e ka konfirmuar edhe policia e Vushtrrisë, sipas së cilës, 18 femra dhe 5 meshkuj janë ekzaminuar në spitalin e Vushtrrisë, derisa njëri nga ta është transportuar në QKUK në Prishtinë. “Rasti është iniciuar si vepër penale “Ndotja e artikujve ushqimorë të destinuar për përdorim për njerëz apo për kafshë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›