Në LDK, akuza për diferencim
Dega e LDK’së në Gjakovë nuk e ka ndërmend të zbatojë vendimin e Isa Mustafës për përsëritjen e zgjedhjeve nëpër të gjitha nivelet e Degës.
Kjo është bërë e ditur nga anëtari i Kryesisë së LDK’së, i Degës së Gjakovës, Naim Ibrahimi.
Ai ka akuzuar zyrtarët në qendër se me vendimin selektiv për mbajtjen e zgjedhjeve në vetëm një degë të partisë i ngjason kohës së diferencimeve politike që janë bërë 20 vjet më parë.
“Është pak nënçmuese dhe përjashtuese për ne që me njerëz edhe të partive të tjera të organizohen zgjedhje”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka komentuar edhe paralajmërimin e Isa Musatfës se në procesin zgjedhor dikush mund të humbë pozitën partiake, pavarësisht kontributeve individuale.
“Është mirë që edhe ai e ka përmendur kontributin tonë 20-vjeçar në LDK. Më vjen mirë që më në fund e tha qe 20 vjet dhe ne kemi qenë argatë të partisë, kurse privilegjet i kanë marrë ata që janë atje dhe që organizojnë zgjedhjet në këtë degë”, ka shtuar Ibrahimi për RTK’në.
Zyrtarët e LDK’së në Prishtinë nuk i kanë komentuar deklaratat e zyrtarëve të Gjakovës.
Megjithëkëtë, lideri i LDK’së, Isa Mustafa të enjten ka thënë se vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve në Gjakovë do të zbatohet deri në fund.