E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vetëvaret në shtëpinë e re 25-vjeçari

 

Muhamet Kurtaj, baba i dy fëmijëve, i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit

SHKODËR-Vetëvaret në shtëpinë e re, ku së shpejti do të hynte së bashku me gruan dhe dy fëmijët. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në fshatin Palvar të komunës Qendër në rrethin e Malësisë së Madhe, ku 25-vjeçari Muhamet Kurtaj i ka dhënë fund jetës, duke gjetur si zgjidhje litarin. Ndonëse ende nuk ka një version final të arsyeve që e shtynë të riun në këtë akt ekstrem, burime familjare dhe nga të njohur të tij, flasin për një gjendje jo të shëndoshë mendore. Mësohet se babai i dy fëmijëve ka kaluar momente depresive dhe në të tilla rrethana ka vendosur të mos jetojë më.

Ka qenë ora 13.20 e mesditës së djeshme, kur 25-vjeçari Kurtaj, i martuar dhe me dy fëmijë i është drejtuar shtëpisë së re që kishte ngritur. Sipas burimeve policore, mbështetur në dëshmitë e dhëna nga të afërm të viktimës, mësohet se ai ka shkuar në katin e dytë të shtëpisë së re. "Shtëpinë e kishte ndërtuar, por akoma nuk kishte hyrë të banonte në të"- thonë burimet nga vendi i ngjarjes. Sipas tyre, ai bashkë me familjen e tij, gruan e dy fëmijët jetonte në një shtëpi njëkatëshe, që ndodhej rreth 200 m larg shtëpisë së re, tashmë të përfunduar. Sipas policisë, litari ishte i lidhur në trarët e katit të dytë, e më pas e ka shtrënguar në fyt. Në këtë gjendje e kanë parë fëmijët e fqinjëve, të cilët nga dritaret e shtëpive të tyre kanë arritur të dallojnë personin të varur dhe kanë dhënë alarmin. Me urgjencë fëmijët kanë njoftuar familjarët e tyre të cilët kanë rendur t'i vijnë në ndihmë 25-vjeçarit. Njëherësh është bërë njoftimi i familjarëve të viktimës dhe i policisë e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Ndonëse ata kanë shkuar me shpejtësi për ta zgjidhur nga laku, gjithçka ka qenë e kotë, pasi babai i dy fëmijëve nuk ka pasur shenja jete. Dërgimi i tij në spital ka qenë i pashpresë. Mësohet se 25-vjeçari Kurtaj, sipas të njohurve,kishte pak kohë që vuante nga depresioni. Kjo është vetëvrasja e tretë e ndodhur në qarkun e Shkodrës që nga fillimi i këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›