Korçë, firmat e inerteve rrezikojnë linjën elektrike
Dy firmat kanë nisur të gërmojnë malin duke rrezikuar rrëzimin e shtyllës së interkonjeksionit Shqipëri- Greqi
KORÇË- Dy firma ndërtimi të aksit rrugor Korçë-Qafë Plloçë, kanë vënë në alarm institucionet vendore në Korçë, teksa gërmimet e tyre në mal janë duke rrezikuar rënin e një shtylle të tensionit të lartë, por dhe jetën e banorëve të disa fshatrave. Firmat private janë duke kryer gërmime për nxjerrjen e inerteve në afërsi të disa fshatrave, në kundërshtim të hapur me ligjin, ndonëse atyre iu është vendosur dhe një gjobë prej dy milionë lekësh secilës për përfitimin e këtyre inerteve jashtë të gjitha parametrave. I pari që ka reaguar është institucioni i prefektit nga i cili është ngritur dhe një grup task-forc, ndërsa është kërkuar dhe tërheqja e firmave në fjalë nga ky lloj aktiviteti. Ndërkaq gjatë të mërkurës ka reaguar dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut Korçë, specialistë të të cilit japin alarmin për firmat në fjalë. Sipas kreut të këtij inspektorati, Josif Xherahu gërmimet në mal për nxjerrjen e inerteve kryhen në afërsi të qendrave të banuara dhe konkretisht në afërsi të fshatrave Kuç, Barç, Plasë etj, ndërkohë që është duke iu afruar gërmimeve sipërfaqja në afërsi të një shtylle të tensionit të lartë i linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Greqi, dëmtimi i të cilës do të sillte "blac out" energjetik jo vetëm në Shqipërinë Juglindore por dhe në Shqipërinë e Mesme dhe më gjerë. Sipas Xherahut, pavarësisht se firmat kanë marrë një masë administrative me gjobë, ato kanë vazhduar punën e tyre me intensitet të lartë, ndërsa është kërkuar pezullimi i punës së tyre me urgjencë. Xherahu bën të ditur se sipas ligjit për tokën gërmime të kësaj natyre duhet të kryhen jo më larg se një kilometër nga toka bujqësore, ndërkohë që kjo është shkelur totalisht, ndonëse firmat në fjalë që punojnë në ndërtimin e aksit Korçë-Qafë Plloçë kanë marrë një leje nga Drejtoria Pyjore në Korçë e cila ka në administrim, malet, kodrat ej,. Duke iu referuar një tjetër burimi nga prefektura mësohet se përfaqësuesit vendorë nuk po gjejnë mundësinë të kontaktojnë me pronarët e këtyre firmave, për t'iukërkuar atyre largimin pa kushte nga këto zona, ndërsa pritet që të mbyllen këto ndërhyrje në malet dhe kodrat e rrethit të Korçës, për të shmangur probleme serioze që mund t'iu vijnë banorëve të tyre.