I hodhën kripë mbi plagë
Njeriu, që pati nevojë të pafundme për dashuri në jetë, me dëshirë po aq të zjarrtë, kërkon një vdekje dashurie. Në ekzistencën tokësore asnjë grua nuk mundi të përballonte kërkesat e tepruara të tij, asnjëra nuk mundi ta ndiqte pas në vrapin e çmendur e fantastik të dalldisë së ndjesive të tij; asnjëra, as nusja, as Ulrika dhe as Maria fon Klaist nuk mundën ta përballonin, bashkë me të, nxehtësinë e furrnaltës së pretendimeve; veç vdekja, më e larta, ajo që nuk mund të mënjanohet, ishte në gjendje të kënaqte nevojat e tij për dashuri: Pentesilea ishte ajo që zbuloi zjarrminë e tij.
Ekstaza, e cila për tridhjetë vjet e kishte shtyrë nëpër pyllin e jetës, prehet ëmbëlsisht tashmë në lumturinë e lamtumirës. Në orën e epërme, shpirti i sfilitur përqendrohet dhe mosmarrëveshjet e natyrës së tij u shkrinë në ndjesinë më të lartë. Në çastin e epërm, kur pesha dhe dhembja e Klaist-it u zhdukën, demoni i tij u shndërrua në muzikë. Poetë të tjerë jetuan më me madhështi, realizuan vepra me rëndësi më të madhe e të lidhura më ngushtë me jetën, duke nxitur e shndërruar me qenien e tyre të ardhmen e përbotshme, por në mënyrë më madhështore se Klaist-i askush nuk vdiq.
Stefan CVAJG
1.
Vitin e “Homburgut”, pasi arriti lartësitë më të mëdha në artin e tij, Henrih fon Klaist arriti, fatkeqësisht, edhe shkallën më të lartë të vetmisë. Nuk kishte qenë kurrë më larg nga bota, dhe aq larg synimit, brenda atdheut dhe kohës së tij. Hoqi dorë nga puna zyrtare dhe gazetën ia ndaluan; misioni shpirtëror i tij, për të tërhequr Prusinë në luftë përkrah Austrisë, mbeti i parealizuar. Napoleoni, armiku më i madh, mbante Europën në duart e tij. Dramat e Klaist-it shtegtonin pa rezultat nga skena në skenë, të përqeshura nga publiku ose të refuzuara me shpërfillje nga drejtorët; librat e tij nuk gjenin botues, nuk mundi të gjente asnjë vend pune të mjerë; Gëtja ishte larguar prej tij, ndërsa të tjerët, të saponjohurit, nuk e ndienin veten të nderuar nga prania e tij, mbrojtësit e lanë në baltë dhe miqtë e harruan; e fundit e braktisi edhe më besnikja, Ulrika, ajo që një kohë kishte qenë “motra me ndjenja Piladi”, çdo kartë që luajti e kishte humbur; dhe të fundit ende që kishte në dorë, më të fortën, dorëshkrimin e kryeveprës “Princi Frederik Homburg”, nuk po mundej ta vinte në skenë. Askush nuk e ftonte në tavolinën e lojës, askush nuk i besonte më hedhjes së tij.
Pas një zhdukjeje disamujore, u kthye përsëri e bëri edhe një përpjekje të fundit me familjen: shkoi gjer lart në Frankfurt mbi Oder, tek të vetët për të çlodhur shpirtin me pakëz dashuri, por edhe ata i hodhën kripë mbi plagë dhe mllef buzëve të tij. Ajo orë e drekës në rrethin familjar të Klaistëve, që e shikonin me përçmim nëpunësin e dëbuar nga puna, botuesin e gazetës së falimentuar dhe poetin dramatik të paarrirë, ia bënë copë shpinën: “Do parapëlqeja dhjetë herë më mirë vdekjen, sesa të kthehesha përsëri për të dëgjuar ato që provova herën e fundit në Frankfurt gjatë kohës së drekës.” I përzënë nga të vetët, i mbyllur në vetvete, në skëterrën e gjoksit të tij, u kthye përsëri në Berlin me brengë në shpirt e këmbët që i merreshin, zemërlëshuar dhe i poshtëruar deri në palcë. U sorrollat disa muaj, me këpucë brashnja e kostum të stripsur, në kërkim të ndonjë pune zyrtare; u ofroi botuesve, por pa dobi, dramën e tij “Princi Homburg” dhe “Beteja e Arminios”, mërziti miqtë me vizitat e tij; por më në fund të gjithë u lodhën, sikurse vetë ai u lodh duke kërkuar: “shpirti im është plagosur aq shumë, sa do të thoja që, sapo nxjerr hundën jashtë dritares edhe drita e diellit që bie mbi shpinë, më lëndon.” Gjithë pasionet kishin marrë fund dhe forcat ishin harxhuar pa dobi.
2.
Aty, në heshtjen më të kobshme që ka rrethuar ndonjëherë një gjeni - ndoshta me përjashtim të Niçes, zemra e tij preket nga një thirrje e zymtë, është një ftesë e cila gjatë gjithë jetës i kumboi në vesh në orët e shkurajimit e dëshpërimit: mendimi i vdekjes. Qysh në rininë e hershme mendimi i vdekjes së vullnetshme e shoqëronte kudo; që në fëmijëri, ashtu si kishte menduar një “plan për jetën”, po ashtu prej shumë kohësh kishte menduar një plan edhe për vdekjen. Dhe ai mendim, përherë e më me ngulm, rikthehej e tingëllonte në çastet e dobësisë: kur batica e pasionit, valët e fryra shkumëzuese të shpresës tërhiqeshin, ajo shfaqej përsëri brenda shpirtit të tij, si shkëmb i zymtë, i nënujshëm. Në letra dhe biseda britmat e Klaist-it ishin të panumërta, ulërima që ndillnin vdekjen; mund të thuhet se është paradoks fakti, si kishte mundur ta duronte jetën aq gjatë, vetëm sepse ishte gati ta flakte në çdo moment.
Përherë dëshironte vdekjen, nëse e vonoi aq gjatë për ta bërë, nuk e kishte nga frika, por nga ekzagjerimi; tepria e natyrës së tij dëshironte një vdekje me përpjesëtime vigane, në ekstazë, në entuziazëm, jo një vdekje të mjerë, të ulët. Sipas një letre dërguar Ulrikës, dëshironte “një vdekje madhështore”: tek Klaist-i, deri më i zymti e më katastrofiku i mendimeve, merrte ngjyrimin e një kënaqësie të madhe, të ekstazës dehëse; kërkonte të hidhej te vdekja si në një shtrat të përbindshëm dashurie, me një kryqëzim të habitshëm, e ëndërronte si vdekje mistike për dashurinë, si fundin e dy shpirtrave. Një makth i zymtë, i përjetësuar prej tij në skenën e “Princit Homburg”, e bënte të dridhej se ai, i vetëm si askush tjetër, duhej të mbartëte vetminë e jetës edhe në përjetësinë e vdekjes; prandaj qysh në fëmijëri i lutej në ekstazë të zjarrtë çdonjërit nga njerëzit e dashur që të vdisnin bashkë me të.
Njeriu, që pati nevojë të pafundme për dashuri në jetë, me dëshirë po aq të zjarrtë, kërkon një vdekje dashurie. Në ekzistencën tokësore asnjë grua nuk mundi të përballonte kërkesat e tepruara të tij, asnjëra nuk mundi ta ndiqte pas në vrapin e çmendur e fantastik të dalldisë së ndjesive të tij; asnjëra, as nusja, as Ulrika dhe as Maria fon Klaist nuk mundën ta përballonin, bashkë me të, nxehtësinë e furrnaltës së pretendimeve; veç vdekja, më e larta, ajo që nuk mund të mënjanohet, ishte në gjendje të kënaqte nevojat e tij për dashuri: Pentesilea ishte ajo që zbuloi zjarrminë e tij. Kështu, të vetmen grua që dëshiroi, varri i së cilës “ishte më i shtrenjtë se shtrati i gjithë perandoreshave të botës”, sikurse bërtet i ngazëllyer në letrën shkruar në çastet para vdekjes, ishte vetëm ajo që dëshironte të vdiste bashkë me të, që i krijonte ndjesinë më të lartë, të papërshkrueshme. Të gjithë atyre që kishte të shtrenjtë, u ofronte pothuaj me këmbëngulje shoqërinë e tij për të kapërcyer në terrin e përjetshëm. Karolinë fon Shiler-it, pothuaj një të panjohure, i deklaronte gatishmërinë e tij për të “vrarë atë dhe veten”; u përpoq të tërhiqte me fjalë mikluese e pasionante mikun Ryhle: “Nuk më del nga mendja ideja se duhet të bëjmë edhe diçka së bashku, eja të bëjmë diçka të mirë dhe, me të, të vdesim! Do të jetë një nga miliona vdekjet, nëpër të cilat kemi kaluar e do kalojmë ende. Është njësoj sikur të kalosh nga një dhomë në një tjetër.”
Si përherë, te Klaist-i mendimi i ftohtë shndërrohej në pasion, në zjarrrmi, ekstazë. Përherë e më tepër dehej nga ideja për t’i dhënë fund jetës me madhështi, me një shpërthim të vetëm, me një vetëshkatërrim heroik, sesa të thërrmohej dalëngadalë nga forcat e rezistencat, të shpëtonte nga vajtimet e shtrëngesat, nga dobësia e ndjesisë së një jete përjetësisht të pakënaqur, me një vdekje fantastike, qarkuar nga fanfarat e dalldisë dhe ekstazës: demoni i shpirtit u ngrit me madhështi e kërkoi të rikthehet, më në fund, në Pafundësinë e tij.
Pasioni i vdekjes së përbashkët nuk gjeti mirëkuptim as te miqtë e as te gratë, ashtu si nuk ishin kuptuar edhe teprimet shpirtërore të tij: këmbënguli pa dobi, pa dobi kërkonte duke lypur një mik për në humnerë; por të trembur e pa entuziazëm, i shmangeshin të gjithë ftesës së çuditshme.
Më në fund, pikërisht në çastin kur shpirti po dilte jashtë shtratit të hidhërimit e neverisë dhe terri i zemrës po ia errësonte sy e ndjenja, takoi një grua, pothuaj të panjohur, e cila e falënderonte për propozimin e tij aq të habitshëm. Ishte një e sëmurë, e destinuar të vdiste, me trupin krejt të përpirë nga kanceri, sikurse mërzia e jetës shpirtin e Klaist-it; e pafuqishme për të ndërmarrë vetë një vendim të fortë, fatzeza e pranoi me entuziazëm dalldinë e tij dhe e la veten ta tërhiqnin në humnerë me kënaqësi. Tani kishte një grua që do ta shpëtonta nga vetmia, në çastin fatal të rënies; kështu, lindi ajo dasmë e çuditshme, fantastike, e burrit të padashuruar me gruan e padashuruar; një grua e sëmurë për vdekje, në udhë të pleqërisë dhe e shëmtuar – ai e shihte fytyrën e saj vetëm nëpërmjet ekstazës së atij mendimi – do hidhej bashkë me të në pavdekësi. Ajo grua arkëtari, shpirtmirë dhe e dhembsur, ishte e huaj për shpirtin e tij; apo më saktë, sipas gjasave, nuk e kishte njohur asnjëherë nëse ishte femër, në kuptimin seksual të fjalës; por me të e bashkonte një tjetër yll e nën një tjetër shenjë, në altarin e shenjtë të vdekjes. Ajo që për jetën e saj kishte qenë tepër e vogël, e squllët dhe e dobët, u bë mikeshë e mrekullueshme: ishte e vetmja që para vdekjes i ofroi magjinë e një drite të rreme, të vagëlluar, dashurie e bashkimi. Ajo e kërkoi vetë: nuk kishte rrugë tjetër veç pranimit, dhe ai ishte gati.
3.
Jeta e kishte përgatitur shumë më tepër; e kishte shkelur, nënshtruar, zhgënjyer e poshtëruar, prandaj u ngrit për herë të fundit me forcë të mahnitshme dhe me vdekjen e tij bëri tragjedinë e fundit heroike. Shpirti prej artisti, i ekzagjeruesit të përjetshëm, me frymëmarrje të fuqishme rindezi edhe një herë zjarrin, vendimin që bluante në fshehtësi prej shumë kohësh; afshi i ngazëllimit e lumturisë shpërthyen nga gjoksi i Klaist-it, që nga çasti kur ishte i sigurt për vdekjen e vullnetshme, qysh atëherë kur thotë se “ishte i përgatitur plotësisht për vdekjen”, dhe kuptoi se nuk do të ishte jeta që do të fitonte, por do fitonte ai mbi jetën. Njeriu që nuk gjeti kurrë një po të plotë, për të pohuar jetën, ashtu sikurse e gjeti Gëtja, tani bërtet i ngazëllyer në lumturinë e tij, një po të vullnetshme për vdekjen: të mahnitshëm janë tingujt e saj; për herë të parë tërë qenia e tij kumboi qartë, pa mospajtime, si një këmbanë. Çdo vrazhdësi ishte copëtuar, çdo trishtim ishte davaritur; çdo fjalë që tha e shkroi, tingëllojnë të mahnitshme nën kudhrën e fatit. Drita nuk e dëmtonte më, shpirti i tendosur merrte frymë lirisht dhe thithte ajrin e Pafundësisë, ishte larguar vrazhdësia e dhimbshme, drita e brendshme shndërrohej në Gjithësi dhe përjetoi i lumtur vargjet e Un-it të tij, vargjet e Homburg-ut para vdekjes:
O pavdekësi, e tëra, imja je tani!
Më ndriçon, përtej fashës që sytë
m’i mbyll, si mijëra diej shkëlqen!
Flatrat mbi supet e mia rriten,
hapësirave të qeta shpirti fluturon;
si velë, nga erërat rrëmbyer
sheh si zhduket qytet i lumtur,
ashtu dhe unë, zhytem në muzg
për tërë jetën; shquaj ende paksa
njyra e forma, por tani mjegulla
mbi mua mbulon gjithçka.
Ekstaza, e cila për tridhjetë vjet e kishte shtyrë nëpër pyllin e jetës, prehet ëmbëlsisht tashmë, në lumturinë e lamtumirës. Në orën e epërme, shpirti i sfilitur përqendrohet dhe mosmarrëveshjet e natyrës së tij u shkrinë në ndjesinë më të lartë. Në çastet kur i lirë dhe i freskët u zhyt në terr dhe hija e braktisi, demoni i jetës doli nga trupi i zhbërë dhe humbi në sferat më të larta. Në çastin e epërm, kur pesha dhe dhembja e Klaist-it u zhdukën, demoni i tij u shndërrua në muzikë.
Poetë të tjerë jetuan më me madhështi, realizuan vepra me rëndësi më të madhe e të lidhura më ngushtë me jetën, duke nxitur e shndërruar me qenien e tyre të ardhmen e përbotshme, por në mënyrë më madhështore se Klaist-i askush nuk vdiq. Klaist-i është poet i madh tragjik i gjermanëve, jo me dëshirën e tij, por ashtu duhej të ishte, për të vetmen arsye, sepse për shkak të shtrëngesës, ishte një natyrë tragjike, prandaj dhe ishte tragjedi jeta e tij...
Përktheu Muhamet Muço
9 Qershor 2008