E Shtunë, 31 Tetor 2026

I japin drogë për hak pune, arrestohet i riu

GJIROKASTER – Lazaratasit konvertojnë pagesën tremujore të një mëditësi me 5 kg marijuanë. Lavdim Turtulli, 22 vjeç, nga Librazhdi, në mungesë të pagesës 3-mujore si kultivues i rregullt hashashi në Lazarat, është shpërblyer me 5 kg marijuanë, të cilën tentoi ta shiste për të siguruar pagesën e munguar prej 90 ditësh, nga pronarët e plantacioneve me kanabis në fshatin rebel. Arrestimi i të riut ndodhi dje, kur kishte tërhequr sasinë e marijuanës nga Lazarati në drejtim të Gjirokastrës për ta trafikuar më pas në Elbasan në klubet e natës. Marijuana është dhënë nga tre banorë të Lazaratit kushërinj me njëri-tjetrin, në mungesë të pagave të pashlyera ndaj të riut 22-vjeçar përgjatë tre muajve të fundit, ku punonte si kultivues dhe prashitës i hashashit. Marijuana ishte fshehur në brendësi të një valixheje me rroba dhe i riu, për të mos rënë në sy, ndoqi një rrugë dytësore nga kodrat e Lazaratit në drejtim të Gjirokastrës. Për të ndaluar të riun mëditës, Policia e Gjirokastrës organizoi disa shërbime grackë ku në orën 06:00, në hyrje të qytetit në pjesën veriore të tij, u zbulua valixhja me marijuanë, e cila administrohej nga i riu Turtulli. Me identifikimin e drogës, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në vend Turtullin, i cili priste të largohej drejt Elbasanit me autobusin e linjës. Policia, nga ana e saj, ka rënë në gjurmët e tre pronarëve të hashashit që u kishin dhënë lëndën narkotike Turtullit dhe punohet për kapjen e tyre. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›