E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti për tokën, fshati bllokon rrugën Shkodër-Pukë

Protesta e djeshme e banorëve të Naraçit

Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e fshatit Naraç kanë mbajtur të bllokuar për rreth një orë rrugën nacionale Shkodër-Pukë. Bllokimi i rrugës nacionale nga banorët e këtij fshati ka ardhur në shenjë reagimi, pasi, sipas tyre, tokat e fshatit, të ndara sipas ligjit 7501, janë marrë me forcë nga banorët e fshatit Hajmel që ndodhet aty pranë. Protestuesit i bëjnë thirrje shtetit të ndërhyjë sepse si ligji 7501, ashtu edhe ligji i vjetër, i ka lënë familjet e tyre pa tokë. Rreth 200 banorë të fshatit Naraç në Shkodër, dje paradite kanë mbajtur për më shumë se një orë të bllokuar rrugën nacionale ShkodërPukë në zonën e Vaut të Dejës. Protestuesit pohuan se ishim të detyruar të ndërmarrim një masë të tillë pasi kërkesës sonë dy javë më parë nuk ua vuri veshin askush. E, në rast se edhe kësaj here nuk të merren konsideratë kërkesa për zbatimin e ligjit 7501 që vetë kjo qeveri e ka miratuara, do të ndërmarrim veprime ekstreme deri në hyrjen me forcë në hidrocentral për stakuar energjinë elektrike, kërcënuan ata. Njëri nga protestuesit, Gjovalin Palushi, tregon: Në fshatin tonë toka është ndarë sipas ligjit të shtetit shqiptar, ligjit 7501. Ndërkohë, banorët e fshatit Hajmel, në mënyrë absurde e kanë marrë me forcë këtë tokë duke e ndarë atë sipas tapive të vjetra dhe e shfrytëzojnë atë prej kaq vitesh. Ne jemi këtu sot për të sensibilizuar të gjitha institucionet dhe për të ngritur zërin ndaj kësaj padrejtësie që na bëhet ne. Banorët e përfshirë në protestë nuk ngurrojnë të kërcënojnë se ata do të përdorin të gjitha mjetet për të nxjerrë në dritë të drejtën e tyre. Ne kështu nuk mund të jetojmë. Shteti nuk po zbaton ligjet e tij, nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse me marrë armët dhe të lirojmë tokat tona që na i kanë zënë padrejtësisht, vazhdon një tjetër protestues. Nuk duam viktima, nuk duam që numrit të të vrarëve për tokën tu shtohen dhe banorë të kësaj zone. Konfliktet për pronat tani përfshijnë jo vetëm familjet njëra me tjetrën, por edhe fshatra të tërë. E tillë është situata në zonën e Vau Dejës, ku konflikti mes dy fshatrave për tokën është acaruar dhe ende nuk ka marrë asnjë zgjidhje ligjore.

Dy fshatrat, 20 vjet në konflikt
Banorët e fshatit Naraç në Bashkinë e Vau Dejës janë në konflikt me banorët e fshatit Hajmel. Problemet e lindura prej 20 vitesh kanë bërë që banorët e Naraçit të dalin dhe të protestojnë në rrugë. Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim paraditen e së mërkurës për të sensibilizuar institucionet shtetërore dhe për të parandaluar ndonjë konflikt të rëndë.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›