Masakra e Pukës, pezullohet shefi i komisariatit

Pamje nga vendi i ngjarjes
PUKE Masakra e Pukës pezullon nga detyra shefin e Komisariatit të Policisë dhe dy oficerët e Policisë të qytetit. Një muaj pas krimit në Qelëzës së Pukës, ku dy vëllezër mbetën të vrarë dhe tre familjarë të tyre u plagosën rëndë, Prokuroria e rrethit ka regjistruar procedim penal me akuzën shpërdorim detyre për shefin e Komisariatit Ridvan Bushati, shefin e Krimeve të Lehta Qetësor Gurra dhe ndihmësspecialistin në të njëjtin sektor, Lulzim Latifi. Hetimi nisi bazuar në dosjen e Avokatit të Popullit, i cili denoncoi publikisht faktin se policia nuk ndaloi dot gjakderdhjen mes dy fiseve Markaj dhe Përmarkaj. Në bazë të materialit kallëzues të përcjellë nga Avokati i Popullit rezulton se tre punonjësit e Policisë së Pukës kanë pasur dijeni për konfliktin e hershëm mes fiseve, por jo vetëm nuk morën masa për parandalimin e vrasjes së dyfishtë më 29 qershor të këtij viti, por nuk referuan në Prokurori kallëzimin për kërcënim, bërë nga familja Markaj, e cila humbi dy djem. Bazuar në dokumentet e sekuestruara në Komisariatin e Pukës mësohet se Francesk Markaj ka denoncuar shtetasit Bardhok, Anton dhe Seferin Përmarkaj se e kishin ndjekur me automatik. Në Komisariatin e Policisë i merret kallëzuesit procesverbali për heqje dorë nga ankimi, duke e mbyllur si konflikt të thjeshtë. Ndërkohë që rezulton se në polici nuk janë pyetur të gjithë personat që ishin dëshmitarë në këtë kallëzim. Me gjithë paralajmërimin e tragjedisë, askush nuk mori masa, derisa mëngjesin e 29 qershorit iu zu pritë autobusit të familjes Markaj, ku vdiqën dy vëllezër.