E Shtunë, 31 Tetor 2026

I jepet lamtumira e fundit ish-deputetit të PS-së, Lekë Çukaj

Ditën e djeshme iu dha lamtumira e fundit ish-deputetit të Partisë Socialiste, Lekë Çuka, i cili humbi jetën në një aksident tragjik. Në një nga ambientet e Prefekturës se Shkodrës janë zhvilluar paraditen e djeshme homazhe, ku familjarë, miq, kolegë dhe të afërm të ish-deputetit i dhanë dje nderimet e fundit trupit të pajetë të të ndjerit. Përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të majtë dhe të djathtë, miq dhe të afërm i kanë dhënë lamtumirën e fundit Lekë Çukajt. Më pas është bërë varrimi i të ndjerit në fshatin e tij të lindjes, në Dedaj të Malësisë së Madhe. Lekë Çukaj humbi jetën të dielën e kaluar në një aksident tragjik në superstradën Fushë-Krujë – Tiranë, pranë fshatit Nikël. Mjeti me të cilin ai udhëtonte u përplas me një tjetër mjet me targa të Shkodrës. Për pasojë, edhe një tjetër person humbi jetën në këtë aksident tragjik. Me profesion fizikan, Lekë Çukaj u zgjodh si deputet i PS-së në zonën e Shkodrës në legjislaturat 1997-2001 dhe 2001-2005 në Kuvendin e Shqipërisë. Çukaj ka qenë edhe anëtar i Komisionit për Ekonominë, Financat dhe Privatizimin, në Legjislacionin 1997-2001. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Çukaj ishte kandidat për deputet në Shkodër për partinë PSV’91.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›