E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: “Dështimi i heqjes së vizave, Berisha të kërkojë falje publike”

Partia Socialiste ia ka faturuar qeverisë dështimin për mospërmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave. Opozita i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha të pranojë dështimin dhe t’i kërkojë falje publike popullit shqiptar. PS deklaron se Bashkimi Europian ua lë përgjegjësinë qeverive respektive të vendeve që nuk përfituan këtë vit heqjen e vizave.
Deklarata
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, akuzoi dje qeverinë se ka dështuar në përmbushjen e aspiratës së madhe të shqiptarëve për heqjen vizave. Ai, në emër të Partisë Socialiste, i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha që këtë fundvit të kërkojë falje publike. Gjoni e ka cilësuar si dështimin më të pafalshëm të qeverisë “Berisha”. Deputeti i PS-së i është referuar deklaratës të bërë nga ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, në konferencën e fundit në krye të presidencës së BE-së. Sipas Gjonit, Bildt ka folur në konferencën e tij për “dështim” të vendeve që nuk përfituan viza, ku fatkeqësisht përfshihet dhe vendi ynë. Gjoni deklaron se ministri i Jashtëm suedez e ka injoruar tërësisht vendin tonë, duke përgënjeshtruar njëkohësisht edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm shqiptar, sipas të cilit, arsyeja e mosheqjes së vizave është se vendimi për tri vendet e rajonit është marrë më parë. Deputeti socialist i ribën të ditur qeverisë se është Bashkimi Europian ai që dështimin e liberalizimit të vizave për tri vendet ia faturon qeverive përkatëse. “Bashkimi Europian, përmes ministrit Karl Bildt vë pikat mbi ‘i’ kur deklaron se përgjegjësia është e vendeve që i kanë pasur të qarta reformat që duhej të kryenin”, - u shpreh Gjoni. Sipas tij, ky dështim i turpshëm i faturohet, në fjalët e z. Bildt, “vetëm atyre”, duke nënkuptuar në rastin tonë Sali Berishën dhe qeverinë e tij.
Falja publike
Në kuadër të dështimit të aspiratës së shqiptarëve për procesin e liberalizimit të vizave, deputeti Gjoni, në emër të opozitës, i ka kërkuar kryeministrit Berisha të kërkojë falje publike. Deputeti Gjoni kërkon me çdo kusht që qeveria të pranojë dështimin e saj dhe të përmirësojë gabimet, që Shqipëria të mos ngelet në barrierën e pafundme të vizave. “Sali Berisha dhe të tijtë duhet të lënë akuzat për opozitën dhe të dalin e të kërkojnë falje publike për dështimin e qeverisë në procesin e liberalizimit të vizave. Deputeti Gjoni rithekson se procesi i integrimit në Bashkimin Europian dhe në veçanti procesi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve varet nga një fakt shumë i thjeshtë, siç është bërja e detyrave të shtëpisë nga ana e qeverisë. “Në vend që të humbin kohën kot duke vrarë trurin e tyre për të gjetur argumente për të justifikuar dështimin e tyre, Sali Berisha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve që për faj të tij ende mbeten të izoluar”, - u shpreh Gjoni. Gjithashtu, ai theksoi se qeveria duhet të dëgjojë me vëmendje zërin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të popullit shqiptar, të punojë konkretisht për përmbushjen e detyrimeve. “Nuk ka asgjë të keqe ta pranosh dështimin. E keqe është kur nuk e njeh atë dhe në vend që të punosh për korrigjimin e tij, të bësh fajtor fatin historik të shqiptarëve, të cilët në fjalët e perifrazuara të ministrave tanë ‘kurrë nuk kemi qenë të parët’ e, për rrjedhojë, duhet të ulin kokat e të presin Haxhi Qamilin e radhës”, - tha Gjoni.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›