E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, jashtë prioriteteve të presidencës spanjolle të BE-së

Kryesuesja e radhës e BE-së publikon programin 6-mujor
Shqipëria duket se nuk është në axhendën e prioriteteve të presidencës së re spanjolle të Bashkimit Europian. Vetëm tri ditë më parë Spanja publikoi programin 6-mujor dhe vetëm vendi ynë nuk figuron në asnjë prej pikave të paketës për zgjerimin të kryesueses së re BE-së. Kësaj radhe, Kroacia, Turqia, Serbia apo konflikti ende i pazgjidhur greko-maqedonas janë listuar në top-axhendën e Spanjës në Ballkanin Perëndimor. Krejt ndryshe nga presidenca suedeze, në platformën e Madridit nuk shihen nisma të karakterit politik apo integrues që të prekin zhvillimet në vendin tonë, të cilat mund të përshpejtojnë procesin e integrimit.
E njëjta gjë duket edhe me Kosovën. Kriza politike në Shqipëri shihet si një moment që jo vetëm rrezikon ecurinë normale të rrugës së anëtarësimit, por po vë në dyshim edhe afatet për heqjen e vizave me shqiptarët në mesin e vitit 2010.
Prioritetet
Paketa e nismave të presidencës spanjolle për zgjerimin prek të gjitha vendet e rajonit, me përjashtimin e Shqipërisë. Sipas dokumentit të bërë publik më datë 21 dhjetor, në axhentën e kryesueses së re të Bashkimit Europian, e cila merr më 1 janar presidencën, listohen të gjitha shtetet e Ballkanit, me përjashtim të vendit tonë. Shefi i Diplomacisë së Madridit, Moratinos, ka përcaktuar si afat gjysmën e parë të vitit 2010 si përfundimin e bisedimeve të anëtarësimit të Kroacisë me Bashkimin Europian. Gjithashtu, është futur në programin e presidencës së re edhe realizimi i përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit mes Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë, në mënyrë që ky vend të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Spanja është në favor të progresit të Turqisë në bisedime, të cilat aktualisht janë të bllokuara për shkak të refuzimit të Turqisë për hapjen e porteve dhe aeroporteve të Qipros. Diplomacia spanjolle është optimiste që vazhdimin e bisedimeve për ribashkimin e ishullit të ndarë dhe vendosjen e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Nikosisë dhe Ankarasë.
Ashtu siç u lajmërua nga paketa spanjolle, Serbia ka paraqitur dje kërkesën për anëtarësim. Ministri i Jashtëm spanjoll tha se vendi i tij nuk është kundër ecjes përpara të Serbisë në rrugën drejt BE-së, ndonëse MSA-ja nuk është ratifikuar për shkak të kundërshtimit të Holandës.
Përjashtimi
Përkundër kësaj panorame rajonale, vendi ynë nuk listohet në asnjë prioritet politik apo institucional në udhëheqjen 6-mujore të Bashkimit Europian. Vetëm pak javë më parë, Këshilli i Përgjithshëm i BE-së pranoi kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat dhe i kërkoi Komisionit Europian që të përgatisë Opinionin e tij. Ky vendim u mor pas rreth 8 muajsh që nga koha që kryeministri Berisha paraqiti kërkesën te presidenca çeke. Fundi i presidencës spanjolle të BE-së përkon me vendimin që do të marrë Komisioni Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë; pikërisht më 1 korrik 2010. Por, një situatë e tillë neglizhence duket se është e lidhur edhe me zhvillimet politike në Shqipëri. Kryediplomati suedez, vendi i të cilit mban presidencën deri më 31 dhjetor 2009, dy ditë më parë mbajti një deklaratë të ashpër për zhvillimet në Shqipëri dhe Bosnjë. Edhe për liberalizimin e vizave ai fajësoi klasën politike të këtyre dy vendeve. “Ky dështim i veçantë u faturohet vetëm vetë atyre. Ne nuk mund ta bëjmë punën në vend të tyre, por vetëm mund t'i lejojmë që ata vetë ta bëjnë. Ata e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe shpresoj se tashmë do të mund të arrijnë në të ardhmen diçka për çështjen e vizave, megjithëse do të ishte më mirë dhe e kishin mundësinë të ishin dhe në grupin e parë”, - ka deklaruar ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, gjatë prezantimit të bilancit 6-mujor të presidencës së vendit të tij.

Kriza politike mban peng proceset integruese

Kriza politike në vend dhe bojkoti i opozitës po bëhen gjithnjë e më shumë pengesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ky fakt nuk është thënë në Tiranë. Deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve më të lartë në Bruksel, që prej fillimit të bojkotit të opozitës, e dëshmojnë qartë këtë. Në njërën anë, drejtuesit e BE-së i kanë bërë thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend, si institucioni i vetëm ky bëhet politika dhe përfaqësimi i zgjedhësve, por në anën tjetër, i kanë kërkuar qeverisë që të krijojë kushtet për futjen e socialistëve në Parlament. Rritja e konfliktit mes palëve ka tërhequr disi ndërkombëtarët. Por, përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së po tregohen gjithnjë e më të qartë në kërkesat dhe fajësinë e aktorëve kryesorë të politikës së Tiranës. Ata kërkojnë nga maxhoranca dhe opozita që të gjejnë gjuhën e përbashkët. Përtej shpresave të shefit të zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, se pritet një zgjidhje në fundin e këtij viti apo fillimin e vitit të ardhshëm, nuk shihet asnjë shenjë që palët të tërhiqen. Bojkoti i opozitës dhe refuzimi i maxhorancës për të hapur kutitë tashmë kanë bllokuar pjesërisht disa reforma, por, mbi të gjitha, kjo rrezikon realizimin në afat të pyetësorit të KE-së, ku një nga kushtet kryesore është dialogu politik në vend.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›