Balla: “Berisha e akuzoi Imamin për tradhti kombëtare, Cekën si komunist”
Kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar Arben Imamin si gjeneralin në shërbim të Sllobodan Millosheviçit, ndërsa Neritan Cekën si shërbëtorin kokulur të Ramiz Alisë. Këto kanë qenë akuzat e dikurshme të kryeministrit Berisha për aleatët e tij aktualë politikë, të cilat i ka sjellë dje në vëmendje deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Sipas tij, Berisha këta njerëz dikur i bënte lanet, ndërsa sot i mban në prehër. “Sali Berisha, ti që e mban veten për patriot, si ka mundësi që sot ke për ministër të Mbrojtjes një gjeneral të Millosheviçit, të paktën sipas atyre që ti i ke thënë Arben Imamit?” - u shpreh Balla. Deputeti socialist ka sjellë në kujtesë një shkrim të gazetës “Rilindja demokratike”, ku Berisha akuzon Arben Imamin për krimin e 14 janarit në Shkodër. “Z. Imami, për të merituar spaletat e Millosheviçit është turp të lyesh duart me gjakun e bashkëkombësve... Krimi i Shkodrës është mesazh i sjellë në Shqipëri nga Millosheviçi nëpërmjet seksionit të tij në PAD, e përfaqësuar nga Imami dhe Ceka”, - citon Balla gazetën “Rilindja demokratike”, duke shtuar se “krimi i Shkodrës, fill pas vizitës së Imamit në Beograd, na jep të kuptojmë se Millosheviçi nuk ia paska dhuruar akoma spaletat e gradimit z. Imami me shokë dhe se për këtë z. Imami dhe PAD u dashka dhënë prova më serioze, dhe se z. Imami më shokë u dashka lyer duart me gjakun e bashkëkombësve të tij”, - ka cituar Balla.
Tre vjet më vonë, më datë 19 korrik 1997, deputeti Balla vijon të citojë një tjetër shkrim të “RD”-së, ku thuhet: “Zoti Imami, është krim të vihesh në dispozicion të skemës së njohur të akademikëve të Beogradit për përçarjen e shqiptarëve dhe zhdukjen e tyre”. Sipas Ballës, kryeministri Berisha e ka akuzuar Arben Imamin edhe në mars të vitit 1997, kur ky i fundit “u vesh si ushtarak dhe hipi mbi tank për të marshuar drejt Tiranës, në krah të gjeneralëve të Jugut”. Deputeti socialist nuk ka lënë pa përmendur edhe akuzat e Berishës ndaj Neritan Cekës, i cili mbetet shërbëtori kokulur i Ramiz Alisë apo limoni i shtrydhur i Fatos Nanos. “Për Sali Berishën, Neritan Ceka i kujton shqiptarëve Koçi Xoxen e dytë”, - përfundon citimin deputeti Balla gazetën “RD” të asaj kohe.
23 Dhjetor 2009