E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Mirënjohje për presidencës suedeze

TIRANË – Shefi i Diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, shprehu vlerësim për rolin që luajti presidenca suedeze e BE-së në proceset integruese në Ballkanin Perëndimor. Në një konferencë për mediat ai tha se “ne i jemi shumë mirënjohës presidencës suedeze për atë ndihmë të jashtëzakonshme që i dha Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës së saj”. Sipas tij, “një nga rezultatet shumë të rëndësishme të kësaj presidence ishte miratimi i aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe njëkohësisht dorëzimi i Pyetësorit, ashtu sikurse një sukses tjetër i padiskutueshëm ishte dhe liberalizimi i vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi”. “Të jeni të bindur se mjaft e suksesshme ka qenë kjo periudhë edhe për plotësimin dhe realizimin e të gjitha standardeve që janë kërkuar nga Udhërrëfyesi i BE-së për liberalizimin e vizave”, - tha zëvendëskryeministri Meta. Ai theksoi se tashmë është e qartë se Shqipëria pothuajse i ka plotësuar të gjitha standardet, të cilat nuk mund të themi se ishin të plotësuara në verën e këtij viti. Viti 2010 do të jetë viti i liberalizimit të vizave për Shqipërinë”, - tha Meta. Sipas tij, “të njëjtën gjë shpresojmë për Bosnjë-Hercegovinën dhe shpresojmë shumë shpejt dhe për Kosovën”.

Presidenca suedeze, suksese në Ballkanin Perëndimor

Gjatë presidencës suedeze Ballkani shënoi hapa të rëndësishëm përpara në integrimin e saj në strukturat e BE-së. Ndër pikat më kulmore për rajonin është liberalizimi i vizave mes Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi me vendet e zonës “Shengen”. Ndërsa për Shqipërinë konsiderohet pranimi i ftesës nga Këshilli i Përgjithshëm i BE-së për statusin e vendit kandidat. Kjo kërkesë u paraqit nga kryeministri Berisha vetëm pak javë para zgjedhjeve të 28 qershorit, gjatë presidencës çeke të BE-së. Suedia ndërmori hapa ambiciozë në mbështetjen e vendeve të rajonit në rrugën drejt integrimit. Në morinë e nismave është edhe kontributi që dha për përgatitjen e strategjisë për zgjerimin, propozimi i një sërë masash për kapërcimin e krizës ekonomike, si dhe realizimi i një takimi të nivelit të lartë mes krerëve të BE-së dhe udhëheqësve të Ballkanit për përmirësimin e bashkëpunimit mes palëve.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›