E Diel, 1 Nëntor 2026

I jepet lamtumira e fundit kapitenit Feti Vogli

Krerët më të lartë të shtetit, personalitete të politikës, të majtë e të djathtë, përfaqësues të bashkësive fetare, trupit diplomatik, njerëz të artit dhe kulturës, qytetarë të shumtë, i dhanë sot lamtumirën e fundit oficerit të ushtrisë shqiptare, në homazhet e organizuara për rreth dy orë në hollin e Pallatit të Kongreseve.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kryeprokurorja Ina Rama bënë homazhe dhe ngushëlluan familjarët e kapitenit Feti Vogli, duke lënë dhe nga një shënim në librin e Zisë të hapur me këtë rast.

Homazhe për të nderuar kujtimin e ushtarakut të vrarë gjatë misionit në Afganistan zhvilluan sot edhe anëtarë të kabinetit qeveritar, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, princi Leka II, deputetë, ish-kryeministri dhe ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, ambasadorët e SHBA-së, OSBE-së dhe BE-së në Tiranë, si dhe pjesëtarë të tjerë të trupit diplomatik, qytetarë etj.

I mbuluar me flamurin kuq e zi dhe kurora të shumta me lule, trupi i pajetë i kapitenit të vrarë u përcoll drejt Varrezave të Dëshmorëve me nderime dhe respekt të veçantë.

Kapiten Feti Vogli, trupi i të cilit mbërriti në atdhe në orët e para të mëngjesit të sotëm me një avion ushtarak amerikan, u vra më 20 shkurt në Kandahar gjatë një misioni të njësisë amerikano-shqiptare, ku bënte pjesë.
Ai u shpall Dëshmor i Atdheut dhe trupi i tij do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje të ndryshme.

13:29 - Përfundojnë homazhet, kortezhi drejt Varrezave të Dëshmorëve

Tiranë - Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua për rreth dy orë ceremonia homazh për nder të kapitenit të ndjerë Feti Vogli, i cili humbi jetën më 20 shkurt në Afganistan. Pas ceremonisë trupi i Voglit po përcillet për në Varrezat e Dëshmorëve.

Miq, të afërm, ushtarakë e personalitete të tjerë u përkulën para trupit të pajetë të kapitenit që mbeti i vrarë nga një sulm në Afganistan, ku u plagos edhe nëntetari Aleksandër Peci.

Krerët më të lartë të shtetit dhe opozitës si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë u përkulën me nderim para Dëshmorit të Atdheut.

Kortezhi me trupin e komandantit Feti Vogli mbërriti rreth orës 11:10 në Pallatin e Kongreseve, pas përfundimit të ceremonisë familjare. Trupi i tij u soll në Atdhe rreth orës 03:00 të ditës së sotme nga një aeroplan ushtarak i NATO-s.
/Start/E.B/

11:30 - Lamtumirë kapiten Feti Voglit

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nisi ceremonia zyrtare mortore në nderim të kapiten Feti Voglit, i vrarë më 20 shkurt gjatë misionit paqeruajtës në Afganistan.

Arkivoli me trupin e pajetë të Voglit, i mbuluar me flamurin kombëtar, pas ceremonisë mortore në shtëpinë e tij në fshatin Baldushk të Tiranës është vendosur në hollin kryesor të Pallatit e Kongreseve, ku do të zhvillohen edhe homazhet në nderim të tij.

Në këto homazhe do të marrin pjesë autoritetet më të larta shtetërore. I pari ishte ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
/Start/E.B/

09:54 - Mbërrin në Atdhe trupi i Feti Voglit, sot homazhet

Dëshmori i  atdheut, kapiteni Feti Vogli, i cili mbeti i vrarë 4 ditë më parë në Kandahar të Afganistanit, ka mbërritur  rreth orës 03:05 të mëngjesit të sotëm në aeroportin “Nënë Tereza” me anë të një avioni të NATO-s.

Më pas kortezhi është nisur në drejtim të fshatit Baldushk të Tiranës, ku deri në orën 10:00 do të zhvillohet ceremonia mortore familjare.

Mandej arkivoli me trupin e Voglit do të vendoset në hollin e Pallatit të Kongreseve, ku do të zhvillohen edhe homazhet në nderim të tij. Në këto homazhe është paralajmëruar pjesëmarrja e autoriteteve më të larta shtetërore. Ceremonia mortore pritet të përfundojë rreth orës 15:30.

Kapiten Feti Vogli është shpallur Dëshmor i Atdheut dhe trupi i tij do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Ai lindi më 23 maj 1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës. Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake në specialitetin Artileri Tokësore, ai u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës Bunavi.

Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më 16 korrik 2005, u bë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi. Nga data 1 qershor 2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.

Kapiten Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje të ndryshme si: Medalja e Karrierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar; Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007; Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.

Nga 16 janari i këtij viti ai u dërgua me misionin luftarak “EAGLE 4”, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit dhe mbeti i vrarë nga një sulm i policisë afgane ku u plagos edhe nëntetari Aleksandër Peci.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-24 15:28
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›