E Shtunë, 31 Tetor 2026

I jepet lamtumira e fundit prokurorit Xhevat Hana, Topi e Rama në ceremoni

TIRANË- Për rreth dy orë janë zhvilluar sot në qendrën kulturore të ushtrisë homazhe për nder të prokurorit Xhevat Hana, i cili u nda nga jeta në moshën 58 vjecare pas një sëmundje të rëndë. Kanë marrë pjesë në këtë ceremoni presidenti i vendit Bamir Topi, kreu i PS-së Edi Rama, deputetë socialistë, kryeprokurorja Ina Rama si dhe familjarë të Remzi Hoxhës.

Xhevat Hana kishte në dorë një prej cështjeve më të bujshme hetimore, atë të zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995 ku të akuzuar janë ish-funksionarë të lartë të SHIK-ut. Pas homazheve trupi i të ndjerit u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat e Shish Tufinës, ndërkohë të pranishëm në ceremoninë homazh, familjarë të Remzi Hoxhës kanë kërkuar që cështja e njeriut të tyre të ndiqet me të njëjtën intensitet nga prokuroria.

Trupi i pajetë i ish-prokurorit të cështjes “Remzi Hoxha” mbërriti dje pasdite rreth orës 18:30 në aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza”, nga Italia. Familjarë, të afërm e kolegë ishin të pranishëm në Rinas, në pritje të trupit të Hanës, i cili u nda nga jeta në 5 janar në një spital në Itali, për shkak të një sëmundje të rëndë.

Hana ka lindur në Librazhd më 28.03.1953, e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, në Sarandë në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa vitet e fundit si prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë. Xhevat Hana njihet si prokurori që hapi çështjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës.

Gjithashtu, Xhevat Hana në periudhën 2003–2005 ka qenë këshilltar juridik i Presidentit të Republikës, si dhe ndihmës/komisioner në Institucionin e Avokatit te Popullit.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›