E Diel, 1 Nëntor 2026

I jepet lamtumira ikonës së kinematografisë shqiptare Ibrahim Muçajt

Artistë, kolegë dhe miq i dhanë dje në mesditë lamtumirën e fundit në ambientet e Teatrit Kombëtar regjisorit të njohur Ibrahim Muçaj, i cili u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare pas një ataku kardiak, duke i marrë  kinematografisë shqiptare, një nga emrat më të shquar të saj. Dimri i fundit ,një nga prodhimet më të dashura për publikun shqiptar, mban firmën e regjisorit Muçaj. Por, ky film është vetëm një mes dhjetëra prodhimeve të tjera kinematografike,

që Muçaj i dha kinemasë shqiptare, para se te ndahej nga jeta mbrëmjen e të hënës. Mes figurave të njohura të artit dhe kulturës edhe Ministri i Kulturës z.Ferdinand Xhaferri bëri homazhe në nderim të veprës dhe personalitetit të papërsëritshëm artistik të Ibrahim Muçajt. Debutimi i tij regjisorial në filmin artistik është i lidhur ngushtë me krijimtarinë e përbashkët të të gjitha filmave artistikë me regjisorin Kristaq Mitro. Filmi i tyre i parë Dimri i fundit, 1975 u nderua me medalje për regjinë më të mirë në Festivalin e Dytë të Filmit Artistik Shqiptar. Në vitin 1987ai u nderua me titullin Artist i Merituar.Si e njohëm regjisorinIbrahim Muçaj ishte një nga regjisorët më prodhimtarë shqiptarë, skenarist e pedagog në Akademinë e Arteve. Firmën e tij mbajnë një seri filmash, që renditen në fondin e artë të kinemasë shqiptare. Muçaj lindi më 8 dhjetor të vitit 1944, në Vlorë. Pasioni për kinematografinë u shfaq qysh herët tek ai. Në moshë fare të re, ai ka realizuar filma mjaft të suksesshëm, duke bashkëpunuar me emrat më të mirë të aktrimit shqiptar, si Tokë e përgjakur (1976), Dimri i fundit (1976), Nusja dhe shtetrrethimi (1978), Liri a vdekje (1979), etj. Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar ngushtë me regjisorin Kristaq Mitro, me të cilin ka realizuar një numër të madh filmash. Të tjerë filma që mbajnë firmën e Muçajt janë Dëshpërimisht(2000), Një djalë edhe një vajzë(1990), Telefoni i një mëngjesi (1987), Duaje emrin tënd (1984), Apasionata, Njeriu i mirë (1982), Në prag të lirisë (1981). Gjithashtu është autor i një sërë dokumentarësh. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe në funksione të larta si drejtor i AlbaFilm Studio, drejtues Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike Shqiptare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe në fushën e mësimdhënies, si pedagog në degën e regjisë skenike, pranë akademisë së Arteve. Vdekja e parakohshme, i la disa projekte përgjysmë. Në prillin e vitit 2008 Qendra Kombëtare Kinematografike miratoi projektin Fundi i një iluzioni, të cilin po e realizonte, së bashku me të birin, Irvin Muçaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›