E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama dhe Mandela janë shpresa

“Isha duke drejtuar një film në Zimbabve, e Nelson Mandela po e prezantonte autobiografinë e tij 'A Long Walk to Freedom', kur një gazetar e pyeti cilin autor do ta donte në rolin e tij, në rast se libri do të bëhej film dhe ai e përmendi emrin tim. Po s’ma hante mendja se ishte e mundur ta interpretoja atë personazh, ngase nuk kishte skenar. Anand Singh, një producent afrikanojugor që i ka të drejtat kinematografike mbi librin, më luti ta takoj Madiban (mbiemri Mandela).. I thashë Madibas se për ta luajtur rolin e tij kish nevojë ta njihja dhe kështu filloi lidhja jonë”.
Morgan Freeman rrëfen për 'L'espresso' se si ka filluar, 15 vite më parë, miqësia e tij me Nelson Mandela, të cilin tash e interpreton në 'Invictus' (në kinema më 26 shkurt), në të cilin fituesi i çmimit Nobel përdor kampionatin botëror të Ragbit më 1995 si instrument të fuqishëm të pajtimit kombëtar: “Problem ishte se është shumë e vështirë të shndërrohet 'Long walk to Freedom' në një film dhe në fund hoqëm dorë nga projekti”.

Ndërkohë libri i John Carlin, ‘Invictus’ është bërë film. Çka ju ka impresionuar më tepër kur e keni takuar Mandelen?
“Asnjë detal nuk është në vetvete posaçërisht i rëndësishëm. Ajo që përnjëmend impresionon tek ai është ajo që ai është, nga vjen, udhëtimi i tij nëpër jetë. Kur e takon, ndien një njeri që të pranon. Që të shikon në sy dhe të pyet si je”.

Cilat janë tri detale që është dashur t’i riprodhoni për ta personalizuar në mënyrë korrekte Mandelen?
“Para se gjithash ritmin dhe cilësinë e zërit. Pastaj aksentin e tij, që ka qenë pjesa më e vështirë. Dhe më pas dallimi dhe riprodhimi i detaleve të vogla që kanë i vërejnë vetëm personat më afër tij”.

E nga pikëpamja shpirtërore?
“Kam thithur esencën shpirtërore të Mandeles duke e takuar shumë herë përgjatë viteve, në vende të ndryshme. Kam arritur ta kuptoj Mandelen mbi të gjitha duke ia mbajtur dorën. Transmeton një energji të madhe. Nëse mban dorën në kërkim të asaj energjie, atëherë edhe e merr, e kjo ndodh me çdonjërin. Ajo që më ka goditur te Mandela është se nuk ka në vete tensionin që e kam eksperimentuar te të tjerët. Nuk është në mënyrën e tij të të qenit. Është shumë i heshtur. I heshtur në shpirt”.

Cili është mesazhi kryesor i filozofisë së Mandeles?
“Beson se fuqitë më të mëdha dhe detyruese në raportet njerëzore janë dashuria dhe falja. Thotë se sporti ka fuqinë ta ndryshojë botën. Sigurisht. Por edhe dashuria dhe falja”.

Ju keni kaluar shumë kohë në Afrikën e Jugut dhe vini nga Mississipi, njëri nga shtetet e zeza të SHBA-ve: çfarë paralelizmi mund të nxirrni mes raporteve raciale në të dy vendet?
“Janë shumë të ndryshme. Kultura krejtësisht të ndryshme. Afrika ka një histori të gjatë koloniale. Në SHBA kurrë s’kemi qenë të kufizuar, kurrë s’kemi pasur leje njoftimi speciale për zezakët. A ka pasur përçarje? Po. Aparteid? Jo. E këtu ka një dallim substancial”.

Njëra nga arsyet pse Obama është zgjedhur është ngase nuk kishte atë tërbimin e përhapur që e shohim te njëra pjesë e popullatës me ngjyrë...
“Njëra nga arsyet pse është zgjedhur është ngase njerëzit mund të shihnin në të të njëjtat gjëra që të bardhët afrikanojugor, që kishin simpati për ANC-në dhe që luftonin për të pasur një Vend demokratik, shihnin te Mandela: shpresën. E kjo është ajo që në Amerikë e shohim tek Obama. Dikush qëllimi kryesor i të cilit është të na konsolidojë si komb”.

Në Afrikën e Jugut s’ka më aparteid, por shumë përçarje...
“Është një traditë që përcillet ndër gjenerata. Jetoj në Mississipi, e ato tradita ende mbijetojnë. Prindërit ua mësojnë fëmijëve”.

A jeni ndier ndonjëherë i diskriminuar si njeri apo aktor?
“Është një temë delikate. Është e lehtë t’ia lësh fajin për çdo dështim jetësor diskriminimit. Por po, jam ndier i diskriminuar. Para se gjithash në ushtri, ngase ishim në një vend ku s’na donin. Ishin vitet ’50, por gjërat kanë ndryshuar tash”.

Filmi del në vitin kur Afrika e Jugut do të jetë mikpritëse e kampionatit botëror të futbollit. Tash s’ka rëndësi a është futboll apo ragbi...
“Po, përnjëmend s’ka rëndësi. Mjaft të mendohet për ngjarjen sportive par exellence, Olimpiadat: janë shpikur për të njëjtën arsye. Për të na bashkuar dhe gëzuar në mungesë të luftës”.

Ju pëlqen sporti?
“Të themi se nuk jam kundër sportit. Kam provuar të luaj golf. Por kurrë s’kam qenë mjaft i zoti në asnjë sport”.

Çfarë kuptimi ka për ju ky film?
“Do të mund, e po them do të mund, të ishte kënga ime e mjellmës, filmi i pensionit tim”.

Përktheu: Arben Idrizi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›