E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dimri i fundit”.

Çdo njeri kur ikën nga kjo botë lë shenjën e tij, pse kujtohet nga miq, kolegë e të afërm, apo në rastin e regjisorit Muçaj, në arsyen pse arti i tij, ka arsye t’i rezistojë kohës! Aktorja Xhepa e përmbledh në një paradigmë: ishte një punëtor i artit.
Në vitet e diktaturës, Muçaj së bashku me regjisorin tjetër, Kristaq Mitro, pothuaj krijimtarinë kinematografike e kanë realizuar dyshe, në angazhimin e tyre kanë qenë aktivë. Filmat e tyre janë pritur mirë nga publiku, me nostalgji shihen dhe sot nga të njëjtët, ndërsa tematika shkonte nga fillimet e diktaturës, kur në kulm ishte evokimi i luftës nacionalçlirimtare - sigurisht e mbikëqyryr nga ideologjia komuniste. Nga kjo regjisorët kanë shpëtuar, nuk kanë njohur ndonjë censurës, ashtu siç vetë ata kanë pohuar në media. Ndërsa në mes të viteve ’80-të krijimtaria e Muçajt tenton një lloj ndjesie, jashtë kornizës së ngurtësuar apo pop-artit që ofronte ideologjia e soc-realizmit ku kujtohen filmat “Duaje emrin tënd”, apo “Apasionata”, kur doli në skenë dhe u vlerësua si shkëlqim aktorja e re, Matilda Makoçi.
Dje, në oborrin e Teatrit Kombëtar, për aktorët, regjisorët e njerëz të filmit e të teatrit humbja e regjisorit ka qenë sa e papritur, aq dhe një “mundim” kujtese, ku secili merrte pjesën e tij për domethënien e ikjes nga kjo jetë dhe gjurmës së lënë pas. Për një kohë se kur ky brez dhe të tjerë kanë krijuar, që prej 20 vitesh mundimi është i vështirë për të thënë fjalën qoftë nga vetë kineastët, apo dhe të tjerë, ku ndahet filmi nga ideologjia, talenti nga shpërdorimi i talentit.
Është një mister ende i papranuar se çfarë u shkaktoi soc-realizmi, devijimi psikologjik nga natyraliteti i krijimtarisë artistike, si vetëdije. Ndërsa vdekja e regjisorit, dje, në përcjelljen në banesën e fundit, u quajt humbje, si njeri dhe qytetar, si kineast që kërkonte të fshehtën e kinemasë. Për brezin e tij kjo ishte e natyrshme duke ia njohur punën, duke e ndjekur në rrugën e krijimtarisë që e u tërhoq dukshëm pas ’90-ës. Por, në 2008, me miratimin nga Qendra Kombëtare Kinematografike të projektit “Fundi i një iluzioni”, që regjisori Muçaj do ta realizonte bashkë me të birin, Irvinin, pritej një rikthim me kërshëri se çfarë do të kishte ndryshuar në jetën e kineastit nga “kohët e arta”, kur Muçaj bluante qëllimet e tij të fshehta dhe realizonte diktatin e regjimit.
Çfarë ka qenë interesante, dje, ishte një refleksion i shpejtë, pikasja e të rinjve mbi këtë regjisor, eksplorimin në thelbin e Muçajt, pse ai mund të studiohet nga brezat. Regjisori i ri, Klejdi Kapexhiu, që ka pasur një njohje të rastësishme me regjisorin dhe me filmat e tij, thotë se Muçaj ka pasur një plan të rrallë në filmat, se dinte shumë mirë të përdorte kamerën, si pakkush regjisorë. Miqësia me të birin e regjisorit, Irvinin, e ka bërë Kapexhiun e ri të reagojë ndryshe me këtë kinema që ka parë.
Klejdi thotë se nëse nuk do të kishte njohur Irvnin, të dy të rinj në kinema, as nuk do arrinte t’i shikonte filmat e Ibrahim Muçajt, ku tregon se pavarësisht ideologjisë ai ka kuptuar të fshehtën artistike si regjisor, gjetjet e tij, që e veçonin nga të tjerë regjisorë. Në aktorët më të vjetër, të njohur, perceptimi është më i tjetërsueshëm, duke ruajtur njeriun dhe kolegun në mënyrë më emocionale, ashtu siç na e shpreh aktorja Tinka Kurti kur thotë se: “Nuk kam punuar me Ibrahimin, vetëm një rast në një rol shumë të vogël. Por nuk nisem nga ky fakt nëse kam punuar apo jo. Por kam parë punën e tij, që ka qenë e mrekullueshme dhe jam gëzuar sikur të isha brenda, ndoshta edhe më shumë. Sepse gjithmonë kur je vetë brenda ndalesh tek roli yt, kritikon veten tënde. Ai ka qenë njeri i thjeshtë, i talentuar, me ëndrra të mëdha. Më erdhi shumë keq për këtë”. Ndërsa kompozitori Aleksandër Lalo tërhiqet në humbjen e regjisorit, duke kujtuar se muzika e tij në filmin “Dimri i fundit” ka qenë krejt e rastësishme pas një episodi që na zbulohet për herë të parë se nuk ka qenë ai kompozitori fillestar i filmit, por Kujtim Laro. Në vitin ‘75 në Tiranë po shfaqej filmi italian “Çështja Sibila”, dhe muzika e Laros u hoq nga “Dimri i fundit” duke u akuzuar se ishte plaguar nga filmi italian. “Kështu që ia anuluan muzikën dhe vendosën që ta bëja unë këngën”, - kujton Lalo sot. Çfarë mban mend nga roli i parë, nga bashkëpunimi i parë, dhe pse ky regjisor është mbresëlënës në punën e një aktori, Margarita Xhepa e tregon të “fshehtën” në filmin “Dimri i fundit”, ku regjisori Ibrahim Muçaj ka pasur gjithnjë në krah, ose gjithnjë janë shfaqur dyshe në bashkëpunim me Kristaq Mitron.

Zonja Margarita ju jeni aktorja e parë që regjisori Ibrahim Muçaj pat zgjedhur për filmin e tij të parë “Dimri i fundit”, si edhe në katër filma të tjerë. Cila është shenja që i mbetet një njeriu, në këtë rast i regjisorit, pas ndarjes nga jeta?

Unë ndjej një dhimbje të madhe sot për njeriun e punës, për artistin që ka punuar me një pasion të madh me kujdes të veçantë, bashkë me kolegun e tij, Kristaq Mitron, që ishin një trup, të dy të gërshetuar. Ibrahimi ka punuar gjithë kohën me kërkesa, mendime, shije dhe me qytetari. Unë kam punuar katër filma me ta dhe them që është një humbje e madhe, për moshën e tij relativisht i ri, për familjen, por unë po them për artin. Sepse punës dhe artit i duhen njerëz të tillë si Ibrahimi. Pra, këta njerëz kanë ditur gjithmonë të gjejnë të fshehtat e artit dhe ato janë pa mbarim, sepse janë njerëz që janë gjithmonë në kërkim, këta i duhen artit dhe punës.

Si ishte ky bashkëpunimi i parë, si e mbani mend?

Unë kam xhiruar katër filma, duke filluar me “Dimri i fundit”, në vitin 1976. Ishte një mot i vështirë, filloi dëbora dhe punohej në atë vështirësi, në ato kushte me borë deri në gju. Çfarë mbaj mend ka të bëjë me pasionin e tij, i papërshkruar, për të evidentuar çdo gjë kombëtare, sidomos portretin e nënave. Muçaj, ndoshta, i pari na solli nënat që në ato vështirësi, në ato kushte, donin të ndihmonin djemtë, por duke evidentuar kujdesin e tyre për të çuar një copë bukë apo një palë çorape, për t’iu gjendur atyre djemve siç është kënga e mrekullueshme e Aleksandër Lalos; djemtë tanë luftojnë maleve/ne i kemi gjithmonë pranë.../ pushka jonë është e nxehtë etj.
Kur më afroi skenarin, roli im ishte vetëm një faqe tekst. Më tha që të bëja një kinoprovë. Pranova me kënaqësi, por në fakt kinoprova nuk u bë fare. Unë e pranova rolin sepse aty nuk ishte puna e rolit për të pasur një tekst të madh, roli kryesor ishte qëllimi i këtyre nënave. Meraku i saj, syri i saj, dashuria e saj, bashkë me shoqet për të kryer këtë mision të bukur - ndaj e pranova me kënaqësi duke lënë familjen në këto kushte, duke punuar në Dardhë të Korçës, mbi dy muaj në atë vështirësi. Por këta të dy shquheshin dhe për respekt ndaj artistëve, për qytetarinë e tyre.

Mendoni se “Dimri i fundit” është më i arrirë për regjisorin, siç mund të quhet film kulmor që mbetet?

Po, ka mbetur një nga filmat që e ndjekin sot e kësaj dite. E veçanta e një skenari të shkurtër dhe që roli im ka vetëm një faqe – aty mençuria e tyre ishte që ditën ta zbërthejnë atë - siç thotë Cehovi, planin e dytë, - dëshirën e këtyre nënave, dashurinë e tyre. Pra e zbërthyen jo vetëm si regji, por dhe nga ana e jashtme, nga çdo gjë, në nuancat për të evidentuar atë gjë të bukur kombëtare të nënave tona.

Cilat janë filmat e tjerë që ju keni bashkëpunuar dhe mbani si kujtesë nga regjisori Muçaj?

Siç thashë edhe më lart, kam bashkëpunuar në këta filma me regjisorin Ibrahim Muçaj si filmi “Tokë e përgjakur”, ku ka punuar me shumë dashuri me operator Ilia Tërpinin, “Një vajzë dhe një djalë” si dhe filmi “Apasionanta”. Këto katër filma më kanë mbetur të paharruar dhe sa herë i thosha se kur do të bëjmë dhe ndonjë film tjetër Braçe?! Dhe ai ma kthente plot shpresë se: do bëjmë patjetër dhe ti je shans për ne. Por do thosha se ata ishin shans për mua. I dua njerëzit që e duan punën.

Por kjo ëndërr për të pasur edhe një shans tjetër me regjisorin Muçaj, pas viteve ’90-të ka qenë shumë i vakët, nuk ka pasur shumë angazhim, pse mendoni se është tërhequr dhe nuk ka prodhuar më ato filma që ju flisni me aq nostalgji?

Dëshira e tij ka qenë e madhe, ka bërë dhe dokumentarë dhe film me metrazh të shkurtër, por mund të them se kanë qenë vështirësitë më të mëdha. Pasi dëshira e tij për të marrë dhe një film bashkë me regjisorin tjetër, Kristaq Mitron, ose dhe vetëm, ka qenë gjithmonë. Ne kemi folur bashkë gjatë kësaj kohe dhe ai gjithmonë ka qenë në kërkim. Por si për çdo regjisor, shqetësimi i këtyre 19 viteve ka të bëjë me anën materiale, financiare. Kjo ka qenë pengesë. Ka shumë regjisorë që duan të bëjnë një film, por për arsye financiare janë penguar. Por, dëshira e Braçes ka ekzistuar gjithmonë.

Filmi “Dimri i fundit” ka mbetur ndër më të arrirët në kohën e komunizmit. A ka qenë film i pëlqyer atëherë edhe politikisht nga regjimi, mbetet ky film për komunizmin?

Absolutisht që ky është një film që i mbetet arkivit tonë të kinematografisë. Por, ata kanë ditur të evidentojnë atë çfarë duhet, e thashë edhe më lart, kombëtaren.
Nuk mund të quhet i politizuar apo ideologjik ky film. Kjo është mençuria e tyre, ata evidentuan këtë dashuri të nënave shqiptare ku mund të them a e kanë të gjithë nënat e botës këtë?! Jo, jo nënat shqiptare kanë shumë më tepër, nga vetë kushtet që kanë kaluar, nga varfëria etj. Dashuria e nënës është e qartë në filmin e tij.
Intervistoi: V. Murati

Box
Lamtumira!
Artistë, kolegë dhe miq i dhanë sot në mesditë lamtumirën e fundit në ambientet e Teatrit Kombëtar regjisorit të njohur Ibrahim Muçaj, i cili u nda nga jeta në moshën 65–vjeçare pas një ataku kardiak, duke i marrë kinematografisë shqiptare, një nga emrat më të shquar të saj. Mes figurave të njohura të artit dhe Kulturës edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferri bëri homazhe në nderim të veprës dhe personalitetit të papërsëritshëm artistik të Ibrahim Muçajt. Firmën e tij mbajnë një seri filmash, që renditen në fondin e artë të kinemasë shqiptare. Muçaj lindi më 8 dhjetor të vitit 1944, në Vlorë. Në moshë fare të re, ai ka realizuar filma mjaft të suksesshëm, duke bashkëpunuar me emrat më të njohur të aktrimit shqiptar, si “Tokë e përgjakur” (1976), “Dimri i fundit” (1976), “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978), Liri a vdekje (1979) etj. Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar ngushtë me regjisorin Kristaq Mitro, me të cilin ka realizuar një numër të madh filmash. Të tjerë filma që mbajnë firmën e Muçajt janë “Dëshpërimisht” (2000), “Një djalë edhe një vajzë” (1990), “Telefoni i një mëngjesi” (1987), “Duaje emrin tënd” (1984), “Apasionata”, “Njeriu i mirë” (1982), “Në prag të lirisë” (1981). Gjithashtu është autor i një sërë dokumentarësh. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe në funksione të larta si drejtor i “AlbaFilm Studio”, drejtues Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike Shqiptare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe në fushën e mësimdhënies, si pedagog në degën e regjisë skenike, pranë Akademisë së Arteve.

Fillimet e karrierës së tij si asistent-regjisor:
“I teti në bronz”, regjisor: Viktor Gjika/1970
“Kur zbardhi një ditë”, regjisor: Pirro Milkani/1971,
“Ndërgjegjja”, regjisor: H. Hakani/1972,
“Brazdat”, regjisor: K.Dhamo/1973
“Gunat përmbi tela”, regjisor: M. Fejzo 1977

Puna e tij e pavarur si regjisor ishin filmat dokumentaere si:
“Kënga e re”, 1971
“Jeta e një përmendoreje”, 1974

Filma artistikë:
Dimri i fundit/1975
Tokë e përgjakur /1976
Nusja dhe shtetrrethimi /1978
Telefoni i një mëngjesi /1978
Liri a vdekje /1979
Në prag të lirisë /1981
Njeriu i mirë /1982
Apasionata /1983
Duaje emrin tënd /1984
Një djalë dhe një vajzë /1990
Një ditë e mrekullueshme / 2001
Isopolifonia (dokumentar) / 2009

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›