E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publiku shqiptar zhgënjehet nga programacioni i mediave në fundvit

Televizionet shqiptare, një program të varfër në ekrane  Ditët e festave kaluan, por publiku shqiptar kësaj here në ekranet televizive, si ai shtetëror por dhe të mediave private nuk mori atë që priste të shikonte këtë fundviti. Një program, i cili nuk solli asgjë të veçantë apo speciale mbizotëroi në ekranet e stacioneve televizive. Nëse deri dje mediat private ishin një hap para Radiotelevizionit Publik Shqiptar, këtë fudnviti të gjitha mediat private shqiptare i mbushën ekranet me një programacion të varfër.

Edhe këto ditë festash në ekrane mbizotëronin prodhime të vjetra, të cilat në disa raste erdhën vetëm me një ndryshim të vogël. Ata që nuk patën mundësi që të festonin jashtë pritën të paktën që në ekranet e mediave shqiptare të gjenin një program special në këtë fundviti, por në fakt ai ishte vetëm një zhgënjim për të gjithë shikuesit. Tashmë të mësuar me programacionin  e varfër që ofron prej vitesh RTSH këto ditë festash qytetarët shqiptarë prisnin një program të larmishëm nga mediat e tjera private, por ato ishin thuajse njëlloj me programin e televizionit shtetëror. Gjatë ditëve të festave u pa në ekranet televizive një program, i cili nuk ishte i përshtatshëm për të gjitha moshat, duke zhgënjyer shikuesit. E në fakt sa i takon veprave simfonike, operave etj, ato ishin me shumicë në ekranet televizive. E ndërkohë që pesha e fajit më së shumti bie mbi Radiotelevizionin Publik Shqiptar, i cili prej vitesh nuk ofron një program të larmishëm në ekranin e tij, megjithëse ai është një institucioni i cili mbahet me taksapaguesit shqiptarë, ashtu si e ka bërë zakon, edhe ditët e fundit të vitit që lamë pas, si dhe ditët e para të vitit 2010, ofroi në ekranin e tij me shumicë programe, të cilat i takonin muzikës simfonike, opera etj. RTSH, jo vetëm gjatë ditëve të festave, por dhe gjatë ditëve në vijim ofron për shikuesit një program të varfër, pasi mungojnë spektaklet, humori, muzika, filmat premierë, dokumentarë të veçantë historikë dhe shkencorë, por dhe shumë programe të veçanta për të rinjtë dhe fëmijët. Ndërkohë që paratë nuk i kanë munguar RTSH, por ato nuk janë përdorur si duhet. Janë dhënë shumë para, të cilat në shumë raste janë përdorur edhe për prodhime skarco e jashtë strukturës, në një kohë kur për publikun duhet të kishte programe, që duhet të ngjallin interesin e publikut të gjerë. Një televizion publik me këtë emër të madh, dhe me një pjesë të fondeve të siguruar nga shteti dhe nga taksat e qytetarëve, duhet të ketë një prodhueshmëri më të madhe. Radiotelevizioni Publik Shqiptar ka një strukturë më të favorshme për të operuar në tregun mediatik, se sa mediat e tjera kombëtare private, dhe me gjithë këtë potencial, ky institucion ka ardhur duke e zbehur imazhin e tij. Ndërkohë që ne pyesim se çfarë mund të na ofrojë ky televizion, i cili mbahet nga shteti dhe taksat e qytetarëve. Është më se normale që çdo person të mendojë se për çfarë po përdoren lekët e tij, kur edhe në fundviti publiku nuk merr asgjë nga programi i RTSH. Koncerti i Venecias me muzikë klasike ishte e vetmja risi që Radiotelevizioni Publik Shqiptar, i vetmi televizion shtetëror kombëtar i ofroi publikut këtë fundviti. E ndërkohë që programi pas datës 31 e në vijim ishte vetëm një program me koncerte simfonike, opera dhe filma të shfaqur tashmë për publikun shqiptar, i cili nga televizioni shtetëror kombëtar priste të paktën këto ditë festash të kishte një program më të larmishëm në ekranin e tij. Ndërkohë që i vetmi program që mbante eskluzivitetin e Radiotelevizionit Publik Shqiptar sa i takon programit special të përgatitur për Vitin e Ri, ishte vetëm  Ram-bam-bum, i cili u transmetua në natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor duke filluar në orën 21.00,për të vijuar dhe në ditët në vijim. Edhe pse sot për këtë televizion shtetëror jepet një buxhet i konsiderueshëm, ai sërish mbetet një institucion për ti qarë hallin. Miliarda lekë nga taksapaguesit për Radiotelevizionin Publik Shqiptar, por që sot në ekranin e tij shikon vetëm një programacion të varfër, i cili nuk kënaq shijet e publikut. Duke parë një program të tillë, qytetarët kanë të drejtë të pyesin se përse paguajnë taksa për diçka që se marrin nga RTSH?  Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›