E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hylli i Dritës vjen pranë lexuesve

Për lexuesit është hedhur në treg numri i tretë i revistës Hylli i Dritës. Në këtë numër revista trajton tema për historinë, gjuhësinë, letërsinë arbëreshe, epigrafinë françeskane në Shqipëri, mitologjinë greke, recensione mbi veprën e Kutelit, Poradecit, figurën e Skënderbeut. Artikujt për shqipen u përkasin kapitujve: Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe dhe gjeografia gjuhësore nga Bahri Beci. Muri i Berlinit dhe letërsia që di unë nga shkrimtari Visar Zhiti,

e shumë artikuj të tjerë letrarë që lexuesi mund të gjejë këtu. Një vend me rëndësi kanë dhe temat historike: E drejta dokësore shqiptare në vështrimin etnik, trajtuar nga studiuesi Kazuhiko Jamamoto" studim i historianit Mark Tita, apo "Mite dhe fakte rreth etnogjenezës dhe "Atdheut të hershëm" të shqiptarëve. Aspekte historike dhe gjuhësore diakronike" të diskutuara në mbledhjen e Institutit të Juglindjes në Regensburg më 24 prill 2009,  ndërsa Anton Çefa paraqet në këtë botim të Hyllit të Dritës", një analizë për "Kuptimësinë e dhembjes në poezinë e Lasgush Poradecit", me titull "Kush ma diti poezinë, dhembjet nuk m'i diti dot". Hylli i Dritës ishte revistë e përkohshme françeskane që u themelua në Shkodër në vitin 1913 nga At Gjergj Fishtës. Numri i parë i revistës u botua më 1 tetor të vitit 1913 në shtypshkronjën Nikaj. Revista doli deri në korrik të vitit 1914, pastaj u ndërpre për shkak të Luftës së Parë Botërore dhe të gjendjes së krijuar në vend. Periudha e dytë e ka zanafillën në vitin 1921, kur më 1 maj del rishtas numri i parë i atij viti pranë shtypshkronjës françeskane dhe përmbyllet me numrin e dhjetorit të vitit 1924, i cili përkon me thyerjen e qeverisë së Fan Nolit dhe me kthimin e Zogut në Tiranë. Periudha e tretë e revistës nis prej janarit të vitit 1930 e shkon deri në korrik të vitit 1944. Pas dekadash heshtje, por  Hylli i Dritës nisi me shndritë rishtas në fillimin e viteve 90. Duke ndjekë ëndrrën e At Gjergj Fishtës dhe të françeskanëve të mëdhenj, në vitin 1993, At Zef Pllumi nisi punën për botimin e së përkohshmes, numri i parë i së cilës doli në mars të atij viti dhe numri i fundit në dhjetor të vitit 1997. Pas një heshtje gati dhjetëvjeçare, përsëri At Zef Pllumi filloi botimin e saj e që atëherë revista del rregullisht me katër numra në vit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›