E Shtunë, 31 Tetor 2026

I jepet lamtumira poetit Ali Podrimja

Ceremoni me poezi dhe muzikë për nderimin e fundit të poetit Ali Podrimja. Trupi i pajetë i tij mbërriti paradite në Prishtinë ndërsa homazhet janë zhvilluar që prej orës 12:00 dhe kanë zgjatur dy orë në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
 

Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” arkivolin me trupin e poetit e priti një delegacion i ASHAK-ut, në përbërje të kryetarit Hivzi Islami, nënkryetarit Pajazit Nushi dhe akademikëve Mehmet Kraja e Rexhep Ismajli. Përveç familjarëve, kishin dalë edhe miq të poetit e adhurues të poezisë së tij, si dhe zyrtarë.
 

Nga mesdita për dy orë kortezhi me trupin e pajetë të akademik Podrimjes ka qëndruar në ambientet e ASHAK-ut ku i janë bërë homazhet. Miq, kolegë, të afërm, personalitete të kulturës në Kosovë kanë zhvilluar homazhe pranë trupit të pajetë të poetit Podrimja.
Homazhe ka zhvilluar edhe ministri i kulturës së Shqipërisë Aldo Bumçi.

Përcjellje me muzikë
Kompozitori Rauf Dhomi, ka thënë se poeti i ndjerë Ali Podrimja kishte përmendur dëshirën që varrimi i tij të përcillej me muzikë. Ai kujton se poeti kohëve të fundit kishte shpeshtuar bisedat për vdekjen. “Ka kohë që thoshte se po vdes, por ka qenë një lajtmotiv që ne s`i kemi besuar. Më pati thënë “kur të vdes unë më përcillni me tinguj të orkestrës’”, kujton Dhomi.
 

Për dy orë sa do të zgjasin homazhet në ASHAK, dy poetë kosovarë do të lexojnë poezi nga vepra më e njohur e Podrimjes “Lum Lumi”.Pika e fundit e funeralit të Ali Podrimjes do të jetë interpretimi i këngës “Lamtumirë” nga Kori i Burrave të Gjakovës.
 

Autoritetet franceze kanë konfirmuar të martën se poeti Ali Podrimja vdiq për shkaqe natyrale. Rezultatet e raportit mjekoligjor që janë kryer në Francë i janë dorëzuar Ambasadës së Kosovës atje.
 

Trupi i pajetë i Ali Podrimjes u gjet në 21 korrikut, në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës, prej ku kishte humbur kontaktet tre ditë më parë. Një tjetër raport në detaje për vdekjen e poetit do të jetë gati tek pas 15 ditësh. Atë po e kryen Klinika e Mjekësisë Ligjore në Montpellier, ku ishte dërguar trupi i pajetë i poetit.
 

Podrimja kishte udhëtuar për në Francë të hënën e 16 korrikut, për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›