E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Francë rrëzohet një helikopteri i blerë nga Shqipëria

Një helikopter i prodhuar për ushtrinë shqiptare është rrëzuar në një zonë malore në Provence, në juglindje të Francës, ku si pasojë gjashtë persona kanë mbetur të vdekur.

Lajmin e bën të ditur stacioni radiofonik Europe 1, sipas të cilit në momentin e përplasjes helikopteri tip "Cougar" po ndiqej nga një helikopter i dytë.

Mjeti fluturues humbi kontaktet me kullën e kontrollit dhe më pas u përplas në Verdon Gorge, një zonë popullore për alpinistët.

Helikopteri i markës "Cougar" i përkiste kompanisë së aviacionit “Eurocopter” dhe ndodhej në një test, ku merrnin pjesë pilotë dhe inxhinierë. Hetimet janë në vijim për të përcaktuar shkakun e aksidentit.

Dëshmitarët thanë se helikopteri po fluturonte ulët mbi zonë dhe papritur u rrëzua në grykën e një lumi. Sipas hetimeve të para, dyshohet se helikopteri është rrëzuar pasi ka prekur një kabull elektrik.

Helikopteri tip “Cougar” ishte destinuar për ushtrinë shqiptare, në kuadër të marrëveshjes së firmosur në vitin 2009 nga qeveria shqiptare për blerjen e 5 helikopterëve transportues nga kompania “Eurocopter”. Helikopteri i rrëzuar parashikohej të përdorej nga ushtria për transportimin e personaliteteve, si dhe për nevoja të tjera të ushtrisë.

Ministria e Mbrojtjes konfirmoi lajmin për rrëzimin e helikopterit dhe bëri të ditur se në “Cougar”-in e rrëzuar nuk ka pasur shtetas shqiptarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›