Romney: Unë di si të sillem me Kinën, Rusinë dhe Iranin

Ai ka thënë se nëse i fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit, nuk do të heqë dorë nga roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në botë.
Këto ishin komentet e tij të para për politikën e jashtme amerikane si kandidati republikan për president, që i bëri në një konferencë vjetore të veteranëve amerikanë.
“Në tregtinë me Amerikën, Kina lejon shkelje flagrante të patentave dhe të drejtave të autorit, pengon bizneset amerikane të konkurrojnë në tregun e saj dhe manipulon monedhën për avantazhe të padrejta”, tha Romney, i cili do të jetë kundër-kandidat i presidentit aktual për të fituar pozitën e të parit të Shteteve të Bashkuara.
Romney në ndërkohë ka zbarkuar në Britani, në kuadër të turneut të tij njëjavësh, që përfshinë edhe Izraelin dhe Poloninë. Gjatë tri ditëve të ardhshme, Romney do të takohet me kryeministrin britanik, David Cameron dhe liderët e tjerë politikë dhe do të merr pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Londër, të premten në mbrëmje.