Po shkrihet Grenlanda

Shkencëtarët thonë se shkrirja e “paprecedent” ka prekur gati 97 për qind të të gjithë sipërfaqes së shtresës së akullt, ndërkohë që gjatë verës zakonisht sipërfaqja e prekur nga shkrirjet në këtë rajon të botës është vetëm 40 për qind.
Megjithëse gjysma e sipërfaqes së Grelandës zakonisht gjatë verës hollohet nga shkrirja, shpejtësia dhe shkalla e parë këtë vit i ka habitur shkencëtarët, të cilët e konsiderojnë fenomenin si të “jashtëzakonshëm”.
NASA thotë se shkrirjet këtë vit kanë prekur edhe qendrën e Grelandës, ku shtresa e akullit është 3 kilometra e trashë.
“Kur ne shohim shkrirje në pjesë që nuk i kemi parë më herët, atëherë na lindin pyetje se çfarë po ndodh e pse po ndodh”, tha shkencëtari i NASA-as, Valeed Abdalati.
NASA nuk është e sigurt nëse shkrirja e vërejtur këtë muaj është një fenomen natyror që ndodh shumë rrallë, apo është shkaktuar nga ngrohja globale e shkaktuar nga njerëzimi.