E Shtunë, 31 Tetor 2026

I jepet nesër lamtumira e fundit prokurorit Xhevat Hana

Zhvillohen nesër në ambientet e Qëndrës Kulturore të Ushtrisë homazhet për nder të prokurorit Xhevat Hana i cili ndërroi jetë ditën e enjte në një spital në Itali pas një sëmundje të rëndë.
Mësohet se trupi i të ndjerit do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit "Nënë Tereza", në orën 17.00 ndërsa nesër nga ora 11.00 deri 12.00 do të zhvillohen edhe homazhet për tu përcjellë më pas në varrezat e Shish- Tufinës.
Kreu i shtetit Bamir Topi në mesazhin e ngushëllimit drejtuar familjes së prokurorit Xhevat Hana shprehet se ndarja e parakohshme nga jeta e tij përbën një humbje të madhe e të pazëvendësueshme për familjen, për kolegët, për vetë shtetin shqiptar, por edhe për të gjithë ata që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë e ta njohin atë nga afër.

Ai gjithashtu ka çmuar përkushtimin e Xhevat Hanës ndaj detyrës së vështirë të prokurorit, integritetin e profesionalizmin si dhe cilësitë e tij të spikatura qytetare e njerëzore.
Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme është shprehur se Xhevat Hana shte imazhi më i mirë i prokurorit këmbëngulës që ka si mision ruajtjen e fuqizimin e shtetit, fanatik i zbatimit të ligjit gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë, çka e kish shndërruar atë në një shembull të devotshmërisë tek kolegët.
Xhevat Hana, ka lindur në Librazhd më 28.03.1953, e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, në Sarandë në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa vitet e fundit si prokuror pranë Prokurorisë Për Krimet e Rënda Tiranë.

Gjithshtu Z. Xhevat Hana në periudhën 2003-2005 ka qenë Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, si dhe Ndihmës/komisioner në Institucionin e Avokatit të Popullit.


“
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›