E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë-Turqi, një krizë e evitueshme

Leximi i ndryshëm i historisë së marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje gjithmonë ka shkaktuar dhe do të shkaktojë probleme dhe tensione në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, kur historinë e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinj kërkon ta lexojë dhe ta sanksionojë ligjërisht me interpretimin e tij një shtet i tretë, që ndodhet mijëra kilometra larg, problemet bëhen edhe më të ndërlikuara. Këtë e dëshmon tronditja dhe kriza e re e marrëdhënieve mes Francës dhe Turqisë, pas hapit parlamentar francez për interpretimin e historisë së marrëdhënieve mes Turqisë dhe Armenisë. Dhoma e ulët e parlamentit francez zgjodhi të votojë dy ditë para Krishtlindjeve një ligj, të propozuar nga deputetë të partisë së presidentit dhe i cili e përkufizon si faj penal mohimin e klasifikimit si “genocid” të vdekjeve të ndodhura në radhët e armenëve në vitin 1915. Turqia dhe Armenia e lexojnë në mënyra të ndryshme këtë episod të historisë së tyre të ndodhur afër 100 vjet më parë dhe parlamenti francez gjen kohën të merret me historinë e të tjerëve dhe t’i bashkëngjitet interpretimit të palës armene.
Reagimi i Turqisë ishte i menjëhershëm dhe i pritur. Ajo jo vetëm që tërhoqi ambasadorin nga Parisi, por edhe bllokoi marrëdhëniet politike, ekonomike dhe ushtarake me Francën. Ndër sanksionet që vendosi Ankaraja përfshihen ngrirja e bisedimeve dypalëshe ekonomike, politike dhe ushtarake. Ndalimi i përdorimit të bazave ushtarake dhe të porteve turke nga avionët ushtarakë dhe luftanijet franceze, (përveç lejeve të veçanta rast pas rasti), anulimin e të gjitha stërvitjeve ushtarake me forcat franceze, anulimin e mbledhjes së komisionit të përbashkët turko-francez për çështjet ekonomike. Ankaraja ka paralajmëruar se qoftë se senati francez do ta miratojë këtë ligj, atëherë sanksionet ndaj Francës do të përshkallëzohen.
Hapi i dhomës së ulët të parlamentit francez shkaktoi një çarje dhe një krizë jo vetëm diplomatike në marrëdhëniet mes dy shteteve të rëndësishme, anëtare të Aleancës Atlantike dhe nga kjo pikëpamje prodhon shqetësim për domethënien, pasojat dhe ecurinë e tij, jo vetëm për dy shtetet e përfshira në këtë krizë, por për të gjithë shtetet e NATO-s, për të cilët kohezioni dhe uniteti atlantik është një bazament i ndikimit dhe i epërsisë së aleancës në shkallë ndërkombëtare. Në mënyrë të natyrshme nuk mund të mos lindë pyetja se përse Parisi dhe konkretisht presidenti francez, Nikolas Sarkozi, e ndërmorën këtë hap legjislativ, i cili dihej paraprakisht se do të shkaktonte furtunë diplomatike dhe një krisje të fortë në marrëdhëniet mes dy aleatëve strategjikë të NATO-s. Se sa i dyshimtë është ky ligj edhe për vetë mjedisin dhe opinionin francez e tregon fakti se ai u votua me 10 për qind të numrit të deputetëve dhe se vetë ministri i Jashtëm francez, Alen Zhype, sipas AFP-së të 4 janarit, e quajti “një budallallëk”. Me të drejtë diplomatë e analistë u nxitën të kërkojnë arsyet pse presidenti francez u tregua i gatshëm të neglizhojë koston e madhe ekonomike, diplomatike, energjetike dhe ushtarake, të keqësimit të marrëdhënieve me Turqinë.
Duhet thënë që në fillim se këtu duhet përjashtuar ndonjë interes partikular dhe i rëndësishëm i Francës me Armeninë, qoftë politik, qoftë energjitik, qoftë strategjik, që do ta shtynte Parisin të neglizhonte Turqinë në favor të Armenisë. Armenia është një shtet i vogël aziatik, pothuajse sa Shqipëria në sipërfaqe dhe në popullsi, shtet që nuk ka as naftë dhe as gaz, siç kanë shtetet e tjera të Azisë Qendrore. Në aspektin gjeopolitik, Armenia është pjesë e sferës ruse të influencës, ku Rusia ka një bazë ushtarake të sofistikuar, (për të cilën nuk paguan asnjë rubël qira), me pesë mijë ushtarakë rusë dhe afatin e të cilës qeveria armene në gushtin e vitit të kaluar e zgjati deri në vitin 2046. Armenia është anëtare e organizatës ushtarake, CSTO, që e ka krijuar Moska me disa shtete, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, si kundërpeshë e NATO-s. Dhe aq e lidhur është me Rusinë, sa që edhe kufijtë e Armenisë me Turqinë dhe me Iranin i patrullojnë forcat ushtarake kufitare ruse. Në këtë realitet, është pothuaj e pamundur të gjendet një politikan francez, qoftë dhe me origjinë armene, që mund të ëndërrojë që Franca ta tërheqë Armeninë dhe ta përdorë atë si bazë e një influence të mundshme franceze në rajon. Një hipotezë reklamuese për miratimin e këtij ligji është se hapi francez u ndërmor në përputhje me filozofinë politike të Francës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të parimeve humanitare. Natyrisht, morali duhet të jetë një element i tabelës së Mendelejevit të politikës së jashtme dhe të diplomacisë, por kur vjen fjala për interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike, atij i sugjerohet të shkojë në kishë. Sepse hapja e një dosje historike 100-vjeçare për një shtet të largët aziatik, ndaj të cilit as Franca e as NATO nuk kanë planifikim dhe mundësi për ta tërhequr në sferën e tyre të influencës, kërkon motive shumë më të mëdha dhe më bindëse se sa kodi moral i një diplomacie. Sepse skelete ka në dollapin e çdo ish-perandorie dhe fuqie koloniale dhe nëse në emër të kodit moral do të nisnin të gjitha parlamentet dhe qeveritë të hapnin dosjet historike. Është lehtë të merret me mend se në çfarë katrahure do të zhyteshin marrëdhëniet ndërkombëtare. Historinë duhet ta shkruajnë historianët dhe jo parlamentet, presidentët dhe kryeministrat, të cilët nuk mund të rregullojnë me ligje të kaluarën e vendeve të tyre, pa le më atë të vendeve të tjera. Dhe siç thotë konkretisht për këtë debat ministrja e Jashtme e Zvicrës, Michele Calmy-Rey, “duhet t’u lihet historianëve të kërkojnë dhe të kontribuojnë me gjetjet e tyre në një debat të hapur mes Turqisë dhe Armenisë”.
Motive të thella politike duhet ta kenë nxitur presidentin francez, Nikolas Sarkozi, të hapë thesin e tensioneve me Turqinë. Një analizë e vëmendshme evidenton disa arsye, por mund të ndalemi në tre prej tyre, që duken më kryesoret, në këto momente të kësaj krize të padëshirueshme.
Së pari, është strategjia e presidentit francez për të penguar dhe bllokuar me çdo kusht avancimin e integrimit të Turqisë në BE, në kohën kur Ankaraja po zhvillon bisedimet e pranimit me BE-në. Dihet se Franca është kundërshtarja kryesore e anëtarësimit të Turqisë në BE sepse një Turqi e fuqishme dhe me një popullsi më të madhe se ajo, do të kërkonte një vend adeguat në mekanizmin vendimmarrës të Bashkimit Europian, gjë që do të sillte një pakësim të peshës dhe rolit drejtues të Francës dhe të aksit franko-gjerman në BE. Nikolas Sarkozi pesë vjet më parë, kur vuri kandidaturën për president, pati gjatë fushatës së vet elektorale si kalë të betejës pikërisht ndalimin e hyrjes së Turqisë në BE. Duke hedhur dorezën e çështjes armene dhe duke ngritur tensione me Ankaranë, krijohet një rrethanë e re diplomatike e acarimit të marrëdhënieve mes një shteti kandidat dhe një shteti kryesor të BE dhe automatikisht edhe një pengesë e re për avancimin e bisedimeve të pranimit me BE-në, të cilat Turqia i ka hapur që në vitin 2005.
Së dyti, motivi i kësaj përplasje me Turqinë duhet kërkuar në ambiciet dhe në politikën e re dinamike të Francës në Lindjen e Mesme pas shpërthimit të revoltave popullore në shumicën e vendeve arabe. Pas aksionit libian, ku Franca manifestoi një rol prej lideri dhe ku fitoi të drejtën e një pjesëmarrje dhe ndikimi më të madh në punët e Lindjes së Mesme, ajo po përpiqet ta vazhdojë më tej këtë platformë edhe me Sirinë. Mirëpo pranvera arabe zbuloi në mënyrë të veçantë rolin dhe modelin atraktiv të Turqisë për shtetet arabe dhe qeveritë e reja demokratike që po vijnë, modelin e një shteti me popullsi myslimane, por edhe laik e demokratik dhe aleat i Perëndimit. Influenca turke në shtetet arabe me sa duket konsiderohet në Shans-Elize si një pengese e avancimit francez për ndikim në vendet arabe, ndaj duke i shkaktuar këto çarje mund të prodhohet në vendet arabe përshtypja se Turqia ka probleme me historinë e saj të perandorisë osmane, kur dhe disa shtete arabe ishin pjesë e asaj perandorie.
Së treti, motivi i hapit parlamentar francez për historinë e marrëdhënieve turko-armene rezulton si një vendim politik, që lidhet me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit të këtij viti në Francë dhe ku Nikolas Sarkozi do të jetë kandidat përsëri. Prognoza e tij elektorale nuk është aq rozë sa do ta dëshironte presidenti dhe partia e tij ka dalë humbëse në disa zgjedhje,(partia e presidentit ka humbur zgjedhjet municipale dhe kantonale më 2008, zgjedhjet rajonale më 2010 dhe zgjedhjet kantonal dhe senatoriale me 2011), dhe vetë kuotimi i tij në sondazhet e popullaritetit ka ardhur duke u ulur. Duke luajtur me kartën armene, ai kërkon të fitojë përkrahjen e votuesve armenë në mesin e emigrantëve armenë, numri i të cilëve në Francë arrin në 500 mijë vetë dhe të cilët kanë lidhje të forta edhe në parlament edhe në politikën franceze. Sarkozi synon të marrë edhe votat e së djathtës ekstreme islamo-fobike, por edhe të elektoratit socialist sepse partia socialiste pat premtuar se do realizonte ajo ligjin për çështjen armene. Llogaritë elektorale të stafit të presidentit duket se janë gjykuar si më prioritare se sa tensionet apo përplasjet me një aleat të rëndësishëm strategjik si Turqia.
Natyrisht, për shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila ka interes të ketë marrëdhënie shumë të mira me të dy shtetet, kjo që po ndodh është një krizë e padëshirueshme dhe e evitueshme. Franca dhe Turqia ndodhen në të njëjtën barrikadë të forcave të NATO-s në Afganistan, siç u ndodhën në Libi dhe siç mund të ndodhen nesër në Siri apo në ndonjë rajon tjetër. Në bazë të Traktatit themeltar të NATO-s, Franca është e detyruar të hyjë në luftë për Turqinë dhe Turqia është e detyruar të hyjë në luftë për Francën. Kriza të kësaj natyre nuk i shërbejnë përpunimit psikologjik të forcave ushtarake të vendeve të NATO-s që duhet të veprojnë si një mekanizëm unik. Ndaj, llogaritë e brendshme dhe individuale politike nuk duhet të lejohet të bëhen me koston e dëmtimit të marrëdhënieve, të angazhimeve dhe të detyrimeve atlantike të shteteve të NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›