E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video, 3.5 mln lekë të reja ekspertëve

TIRANE-"Një djall e gjysmë” do të paguhen tre ekspertët e caktuar nga Gjykata e Lartë që përpiluan ekspertizën e videos Meta-Prifti.
Burime pranë Gjykatës së Lartë thanë se ekspertët Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri do të paguhen 3.5 milionë lekë të reja. Fatura është dorëzuar prej tyre në kryesekretarinë e gjykatës supreme, e cila pritet që me 16 janar 2012 të japë dhe verdiktin e saj, për ish-zv.kryeministrin Ilir Meta, ndaj të cilit rëndon akuza e korrupsionit aktiv. Secili prej tre ekspertëve shqiptarë do të fitojë plot tri herë më shumë sesa eksperti amerikan Glen Bard. Ky i fundit, sipas të njëjtave burime për kryerjen e ekspertizës së videos në fjalë, akt që më pas u shpall i pavlefshëm nga Gjykata e Lartë, është paguar vetëm 5 mijë dollarë amerikanë. Eksperti amerikan është paguar nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila teksa kërkoi dënimin me 2 vite burg dhe 1 milion lekë gjobë për Metën, i ngarkoi të pandehurit dhe pagimin e të gjitha shpenzimeve procedurale.
Thënë me thjeshtë, nëse Ilir Meta do të shpallet fajtor faturat e shpenzimeve do t’i likuidojë vetë ai. Veç tre ekspertëve shqiptarë, të cilët do të marrin 35 milionë lekë, listës së pagesave që duhet të shlyejë ish-ministri i Jashtëm do t’i shtohet dhe fatura që prokuroria ka paguar ekspertin amerikan, ndonëse ekspertiza e tij u shpall e pavlefshme. Në të kundërt, nëse ish-numri dy i qeverisë shqiptare fiton pafajësinë, faturat do të paguhen nga shteti.
Pagesat e ekspertëve
Glen Bard, amerikani që bëri ekspertizën e videos Meta-Prifti, ku dy zyrtarët e lartë të qeverisë shfaqeshin duke biseduar për afera korruptive, u pagua vetëm 5 mijë dollarë amerikanë, për punën e bërë. Shpallja e pavlefshme e ekspertizës së tij, për shkaqe procedurale e detyroi Gjykatën e Lartë të caktonte tre ekspertë të tjerë, për të kryer të njëjtën detyrë: Verifikimin e origjinalitetit ose jo të videos Meta-Prifti. Tre ekspertët shqiptarë, të cilët dolën në një përfundim të ndryshëm nga ai amerikan, do të paguhen 35 milionë lekë të vjetra, ose shtatë herë më shumë sesa amerikani Bard. Ndërkaq, sa i përket ekspertit anglez thuhet se, pagesa për të ka qenë shumë herë më pak sesa ajo e amerikanit. Të gjitha këto shpenzime, do t’i paguajë i pandehurit Meta, gjithmonë nëse cilësohet fajtor nga Gjykata e Lartë. Në të kundërt faturën e “kripur” të ekspertëve shqiptarë, që secili prej tyre ka kushtuar thuajse trio herë më shumë sesa amerikani, do ta paguajë vetë shteti.
Në pritje të verdiktit
Gjykata e Lartë pritet të thotë fjalën e saj të fundit për ish-zv.kryeministrin Ilir Meta, me datë 16 janar 2012. Kolegji penal nuk e dha vendimin në seancën që dëgjoi pretencën e prokurorisë dhe palën mbrojtëse, duke argumentuar se çështja është voluminoze dhe për këtë shkak i dha kohë vetën më shumë sesa një javë për të vendosur për fatin e ish-numrit dy të qeverisë, Ilir Meta. Ky i fundit u vu nën akuzë pas publikimit të një video të regjistruar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan prifti, ku shfaqeshin duke biseduar për afera korruptive.
Prokuroria kërkoi dënimin e Metës me 2 vite burg dhe 1 milion lekë gjobë, duke e mbështetur akuzën në dëshminë e Priftit dhe prova të tjera direkte dhe indirekte, mes të cilave dhe tabulateve telefonike. Ndërsa avokatët e Metës kërkuan pafajësi për ish-zv.kryeministrin, duke kundërshtuar fort dëshminë e ish-ministrit Prifti, madje e kanë sulmuar ashpër atë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›