E Shtunë, 31 Tetor 2026

I katërti misterioz i masakrës

KOKA NË FAQE II

Ai ishte ndaluar nga agjenti Kastriot Feska. Kur Dajti qëlloi pas shpine këtë të fundit, i ndaluari mundi të largohej


Është arratisur nga vendngjarja. Ishte në "Tuareg" bashkë me Dajtin, Marën dhe Xhoxhin


TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda, me ndihmën e dëshmive të agjentëve të policisë, të cilët i shpëtuan plumbave të Dritan Dajtit dhe dëshmitarëve të pranishëm në momentin e "masakrës", kanë arritur në përfundim se Dajti ka patur një "shoqërues" të tretë, i cili ka çarë rrethimin e policisë, duke u shpëtuar prangave.


Ky fakt konfirmohet nga zyrtarët e institucionit të akuzës, të cilët shtuan se deri më tani është bërë i mundur vetëm ndërtimi i identikitit të përafërt të personit misterioz, i cili falë rrëmujës së masakrës "Dajti" ka mundur të shpëtojë nga prangat e ftohta.


Sipas këtyre burimeve, mësohet se ka qenë agjenti tashmë i vrarë, Kastriot Feska, i cili e kishte mbërthyer për shpatullash personin e tretë që shoqërohej me Dajtin, por, plumbat e këtij të fundit të qëlluar nga pas shpine, ishin fatalë për agjentin.


Kështu, personi i katërt ka mundur të ikë, ndërkohë që Feska ka rënë përtokë i vdekur. Ai ndodhej në makinë me të arrestuarin Dajti, kunatin e tij Ergest Xhoxhin dhe të vrarin Ledion Mara.


Nga rindërtimi i skemës së ngjarjes dhe akt-ekspertimeve mjeko-ligjore të katër agjentëve, grupi hetimor i prokurorisë ka arritur në përfundim se të katër agjentët dhe shtetasi Ledion Mara janë vrarë nga plumbat e dy pistoletave të Dritan Dajtit.


Sipas akuzës, i pari që është qëlluar me plumb në kokë ka qenë drejtuesi i grupit Festim Xhani. Në këtë pikë të aksionit, ka patur debate. Prokuroria thotë se ka prova të mjaftueshme për të rrëzuar një pretendim të mundshëm të mbrojtjes së Dajtit, se ai nuk ka ditur se po qëllonte mbi policë.


Sipas prokurorisë, i ndjeri Xhani ka patur kartën e identitetit të policisë në dorë dhe ka shqiptuar fjalët: "Policia, dorëzohuni", kur është afruar dhe ka hapur derën e parë të pasagjerit të "Tuareg"ut.


Plumbi e ka marrë në kokë anash duke e rrëzuar në përdhe. Pas vrasjes së Xhanit, Dajti është kthyer me 90 gradë në krahun tjetër të dritares së pasme ku po qëndronte kryeinspektori Saimir Duçkollari. Ka shkrepur në drejtim të tij katër plumba, duke e lënë të vdekur.


Më pas, ka zbritur nga makina, dera e pasme nga krahu i djathtë. Pak metra pas makinës ka parë "ushtarin" e tij Ledion Mare të shtrirë në tokë, duke u lidhur nga agjenti Altin Dizdari. Në drejtim të tyre ka shkrepur dy pistoletat, duke qëlluar agjentin në kraharor dhe Maren. Të dy mbetën të vdekur.


Pas këtyre shkrepjeve, Dajti ka lëshuar pistoletën tip "Revolver" në tokë dhe ka qëlluar me pistoletën tjetër tip "Glock", agjentin Kastriot Feska. Ky i fundit ishte kapur për krahësh me personin e tretë që shoqëronte Dajtin. Feska është qëlluar mbrapa shpinës.


Pasi ka qëlluar Feskën, i shumëkërkuari Dajti ka shkrepur edhe disa plumba mbi një makinë të parkuar aty afër (pas saj ishin dy agjentë të tjerë) dhe më pas ka filluar të largohet me ecje, në drejtim të plazhit. Nga një derë aty pranë ka dalë një fëmijë, që është qëlluar në ecje e sipër nga Dajti, duke mbetur i plagosur në këmbë.


Më pas ka tentuar të ndërrojë karikatorin e pistoletës "Glock". Në atë moment është qëlluar nga tre plumba, një në krah (në bërryl), një në kraharor poshtë shpatullës dhe një në këmbë.


Plumbi i fundit e ka rrëzuar përdhe. Ndërkaq, në krah të makinës "Tuareg", agjentët e tjerë kishin mundur ta arrestonin kunatin e Dajtit, shtetasin Ergest Xhoxhin, pa shumë rezistencë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›