E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e banesave, nis rritja në 2009-ën

Parashikohet një frenim i rritjes së çmimit për shkak të rënies së kërkesës dhe ofertës së qëndrueshme


Çmimet e apartamenteve janë rritur me 15.6 % në 6-mujorin e parë, pas një rënie në 2008-ën


Çmimet e banesave kanë shënuar rritje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009. Këtë e konfirmon raporti i Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit një apartament aktualisht kushton 15.6 për qind më shtrenjtë se një vit më parë.


Kjo rritje vjen për shkak të zhvlerësimit të lekut ndaj euros, si dhe për shkak të rritjes së lehtë të çmimit të apartamenteve. Më konkretisht për tremujorin e dytë të viti 2009, kursi i këmbimit mes lekut dhe euros është rritur me 7 për qind në krahasim me tremujorin e dytë të një viti më parë.


Nga ana e vet çmimi i banesave i kuotuar në euro është 8 për qind më i lartë se gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Rritja e çmimit të banesave ka filluar që në muajt e parë të vitit 2009.


Aktualisht çmimi i banesave është 6 për qind më i lartë se sa në tremujorin e parë të viti 2009. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja faktike në indeksin e çmimeve të shitjes në tremujorin e dytë të vitit 2009, është paraprirë rritja e kostos së ndërtimit që ka prekur biznesin e ndërtimit..


"Pritjet për çmimet në rritje nga ana e bizneseve ndërtuese, shkojnë në një drejtim me parashikimin e bizneseve ndërtuese për pakësim të inventarëve, të cilët ishin rritur shumë në tremujorin e fundit të vitit 2008, duke sugjeruar se oferta në tregun e pasurive të paluajtshme do të mbetet e qëndrueshme.",- thuhet në raportin e BSH-së.


Vetë Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë në fund të vitit të shkuar deklaroi se në mbarë vendin regjistrohen mbi katër mijë apartamente të pashitura.
Kërkesa


Megjithëse çmimet e apartamenteve janë rritur në pjesën e parë të këtij viti, pas një rënie të lehtë gjatë vitit 2008, niveli i ri i arritur ka gjasa të mos rritet më tej.


Raporti i Bankës së Shqipërisë tregon për një shtrëngim të kushteve për kreditim nga bankat e nivelit të dytë dhe sipas saj kjo mund të japë ndikimin e saj në kërkesën e qytetarëve për të blerë një banesë të re, e cila së bashku me ofertën e qëndrueshme të kompanive të ndërtimit mund të reflektohet tek çmimet e banesave.


"Shtrëngimi i kushteve të kreditimit gjatë vitit 2009, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues sugjeron për një ndrydhje të kërkesës.


Dinamika e kërkesës dhe ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme, në kushtet e një kërkese më të tërhequr dhe të një oferte të qëndrueshme, sugjeron një frenim të rritjes së mëtejshme të çmimeve mbi nivelin aktual.",- citohet në raport.


Gjatë vitit 2008, çmimi i apartamenteve ra me tre për qind, ku mesatarisht rritje në vitet 2005-2007 ka qenë 16 për qind. Vrojtimi ka mbuluar vetëm qytetin e Tiranë


Rriten qiratë në kryeqytet


Qiratë e banesave në kryeqytet kanë pësuar rritje në tre-mujorin e dytë të vitit 2009. Raporti i Bankës së Shqipërisë tregon se indeksi i qirasë së banesave në kryeqytet është rritur me 7.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009, por duke zbritur efektin e vlerësimit të kursit lekë/euro, rritja është 5.9 për qind sipas matjeve të indeksit të qirasë.


"Në krahasim me tremujorin e kaluar indeksi i qirasë u ul me 14.7 për qind, ose 16 për qind pa efektin e vlerësimit të kursit lek/euro",- citohet në raport.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›