KQZ: Të vegjlit të kthejnë paratë, ndryshe, penalizohen
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, u kujton partive të vogla penalitetet që parashikon kodi, në rast të moskthimit të parave
TIRANË - Nëse Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Nard Ndoka dhe Lufter Xhuveli, do të veprojnë si Neritan Ceka, i cili ka deklaruar se nuk do t'ia kthejë KQZ-së paratë e fushatës së fundit, atëherë edhe ata rrezikojnë ndëshkimin që parashikon Kodi Zgjedhor. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatës, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Partia Aleanca Demokratike, Agraro-Ambientaliste, Partia Demokristiane, Demokracia Sociale dhe Social Demokrate, i kanë një borxh prej 12.7 milionë lekësh buxhetit të shtetit. Të pesta këto parti u financuan për garën zgjedhore të 28 qershorit, në detyrim të ligjit si parti parlamentare. Por ato nuk siguruan përfaqësimin në Parlamentin e ardhshëm, ndaj, deri më 31 gusht duhet që, sipas ligjit, të bëjnë kthimin e parave të marra nga KQZ-ja. Kësaj here ka qenë vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili u ka bërë thirrje publike partive të vogla, që të kthejnë paratë. Në të kundërt, do të zbatohen dispozitat e Kodit Zgjedhor. "Në rast se nuk i kthejnë këto fonde, atëherë nuk do të marrin financim më nga buxheti i shtetit për pesë vitet e ardhshëm, por dhe nuk do të lejohen të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, në rast se, sipas ligjit, nuk do të kthejnë këto fonde, të cilat janë marrë dhe janë të detyruara që t'i kthejnë",- tha kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani.
Deri më tani, lidhur me këtë çështje kanë reaguar kryetari i PAD-së, Neritan Ceka dhe ai i PDK-së, Nard Ndoka. Ceka nuk e quan të ligjshme kthimin e parave, pasi, sipas tij, kontributi që PAD-ja ka dhënë për PD-në ka qenë shumë i madh.
Ndaj, Ceka nuk ka ndërmend që të kthejë asnjë qindarkë, të cilat, në bazë të Kodit Zgjedhor, do t'u kalonin partive që kanë përfituar mandate parlamentare, përfshi pra edhe PD-në. Ndërsa kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, pavarësisht se shprehet se është dëmtuar në këto zgjedhje, ai do të zbatojë Kodin Zgjedhor, duke kthyer shumën e parave që i detyrohet KQZ-së. Ndërsa Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Lufter Xhuveli, nuk janë shprehur ende publikisht për këtë çështje.
Subashi: Fillon puna për fondet e partive
TIRANË - Pavarësisht se KQZ-ja shpalli rezultatin zyrtar të 28 qershorit më 1 gusht, ky proces nuk mund të quhet i mbyllur. Nënkryetarja e këtij institucioni, Dëshira Subashi, thekson se procesi do të quhet tërësisht i përfunduar vetëm kur të bëhet edhe zbardhja e financimit të fushatave të partive që morën pjesë në garë. Kjo, sipas zonjës Subashi, do të mësohet gjatë muajit tetor.
"Për nga procedurat që jep kodi, shpresoj që deri në muajin tetor ne të kemi një përmbyllje edhe të këtij aktiviteti, çka përbën dhe përmbylljen në tërësi të të gjithë problematikës zgjedhore të vitit 2009",- thotë Subashi. Ndërkaq, në KQZ, brenda muajit gusht pritet të hidhet shorti për ekspertët kontabël, që do të hetojnë financat e partive politike gjatë, para dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Pas kësaj faze, brenda një periudhe tjetër 45-ditore, subjektet zgjedhorë duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja, çdo informacion, dokumente apo të dhëna, që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore.
Edhe vetë KQZ-ja ka të drejtë që të bëjë verifikime të të dhënave të raportit, që do të ofrohet nga ana e ekspertit kontabël. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshëm, këqyrjen e dokumenteve, që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.