I kënaq vetëm fitorja
Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 26-të e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa ndeshje mjaft interesante.
Por, më se interesant pritet të jetë të shtunën në Mitrovicë, ku do të zhvillohet derbi ndërmjet dy rivalëve të këtij qyteti, Trepçës dhe Trepçës ’89.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Trepça ka pasur paraqitje të mira gjatë stinorit pranveror, këtë dëshirojnë ta përsëritin edhe ndaj rivalit lokal, pasi synojnë që t’i fitojnë tri pikë të reja në këtë sfidë.
“Në kësi derbi luhet vetëm për fitore, pavarësisht pozitave në tabelë. Por, realisht ne jemi më të mirë aktualisht dhe jam i bindur se do të fitojmë. Pres numër më të madh të publikut, ndërsa skuadra ime do të dëshmojë edhe një herë formën e mirë, siç kemi treguar në tetë xhiro të kësaj pranvere”, tha për Express, trajneri i Trepçës, Nazmi Rama.
Mirëpo, vendasit nuk do ta kenë aspak lehtë ta arrijnë objektivin, pasi edhe Trepça ’89 do të përpiqet që ta fitojë këtë betejë dhe nuk guxon të gabojë, pasi është në rrezik për t’u përfshirë në mesin e skuadrave që po luftojnë për mbijetesë.
“Do të luajmë në Mitrovicë dhe publiku i këtushëm nuk është i ndarë. Andaj, ne do të luajmë sikurse në shtëpinë tonë dhe as nuk do të mendojmë që jemi në cilësinë e mysafirëve. Në këtë mënyrë, ne do ta kërkojmë vetëm fitoren, por realisht edhe një barazim eventual do të ishte i mirëseardhur për ne”, deklaroi Sejdiu.
Po të shtunën, do të zhvillohet dueli tjetër mes KEK-ut dhe Lirisë. Kurse të dielën do të zhvillohen disa ndeshje shumë interesante. Madje, dy skuadrat që po luftojnë për titull të kampionit, Prishtinën e Hysin i presin udhëtime të vështira pasi do të luajnë si mysafirë të Ballkanit, përkatësisht Vëllaznimit, ekipe këto që po luftojnë për mbijetesë.
Ndërsa, dy skuadrat e tjera që po e kërkojnë ekzistencën, Flamurtari dhe Drenica do të përballen në kryeqytet. Kurse ekipi i fundit në renditjen tabelore, Ferizaj nuk do ta ketë lehtë pasi përballë do ta ketë Besën.
Superliga - xhiroja e 26-të
E shtunë
KEK-u – Liria
Trepça – Trepça ‘89
E diel
Ferizaj – Besa
Flamurtari – Drenica
Ballkani – Prishtina
Vëllaznimi – Hysi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 15:00